Përplasjet e vjetra mbi emigracionin kanë nxjerrë krye sërish mes dy partive simotra në Gjermani, CDU dhe CSU duke e vendosur koalicionin qeverisës të Gjermanisë përpara një sprovë të vështirë.
Pas një serie takimesh urgjente, lideri rajonal i Unionit Social-Kristian bavarez, Alexander Dobrindt tha se e mbështet 100% planin e ministrit të Brendshme Horst Seehofer për emigracionin që përfshin kthimin e njerëzve mbrapsht që në kufi, lëvizje kjo të cilën Angela Merkel e ka përjashtuar kategorikisht.
Por Dobrindt insiston se disa pjesë të planit janë përgjegjësi direkte e ministrisë së Brendshme, frerët e së cilës i ka në dorë CSU-ja. Kjo forcë politike duket e vendosur ta ndryshojë ndjeshëm linjën e ndjekur deri më tani kundrejt emigranteve.
Konservatoret bavareze mendojnë se ky është momenti për të vepruar. Kancelarja nuk është prononcuar publikisht mbi çështjen, por burime pranë saj thonë se CDU-ja e mbështet plotësisht qëndrimin e Merkelit. Shpresat janë që të dy palët të arrijnë të gjejnë gjuhen e kompromisit ndoshta nga fillimi i javës që vjen.
Por nëse ngërçi nuk zgjidhet, Merkeli mund të gjendet përballë një zgjedhjeje të vështirë: ose të tërhiqet nga pozicioni i saj, ose të shkarkojë Seehoferin.
Top Channel