Ndërkohë që Rusia është gati për startin e kampionatit botëror, që nis pasditen e sotme, vendi vuan ende nga probleme të shumta me lirinë e shtypit dhe të fjalës.
Pikërisht për këtë arsye, në Paris është organizuar një protestë rreth lirisë së shtypit në Rusi, në prag të kampionatit botëror. Aktivistët paraqitën një fushë futbolli, ku si lojtarë kishin vendosur posterët e gazetarëve të burgosur, që mbaheshin në sfonde pas hekurave.
Gjithashtu në postera, aktivistët kishin vendosur edhe një flamur, me mbishkrimin “Gjatë Kupës së Botës, represioni vazhdon”.
Reporterët pa Kufij (RSF), që organizuan protestën, thonë se shtatë gazetarë janë në burg në Rusi për shkak të punës së tyre dhe 34 janë vrarë që kur Presidenti Vladimir Putin erdhi në pushtet në vitin 2000.
“Kamerat do të fokusohen në fushë, në korridoret që çojnë në dhomat e zhveshjes, por ajo që ne duam të bëjmë, është t’i përqendrojmë ato në anën tjetër, në shtetin rus, që ka probleme të shumta dhe nuk është ashtu siç duket”, tha Christophe Deloire i RSF për Reuters.
Top Channel