Kanë kopjuar apo nuk kanë kopjuar maturantët e këtij viti? Kjo është çështja! Në provimin e parë të detyruar, të gjuhës së huaj, një nga maturantët e shkollës Andon Zako Çajupi tha për Top Channel se në minutat e fundit mësuesit i kanë lënë të komunikonin me njëri-tjetrin, duke pohuar indirekt se kanë kopjuar.
4 ditë më vonë, në provimin e dytë, të letërsisë deputeti demokrat Luçiano Boçi postoi në Facebook fotografi, që sipas tij ishin bërë në klasë gjatë provimit. Por, e vërteta ishte se nuk lexohej mirë nëse ishin ose jo pyetjet e testimit.
Edhe në provimin e tretë, të matematikës i njëjti deputet publikoi foto, në këtë rast pyetjet e provimit lexoheshin qartë. Deri tani, ministrja Lindita Nikolla është shprehur vetëm përmes njoftimeve zyrtare. Ajo shprehet për herë të parë për Top Channel 1 ditë pas testimit të metematikës dhe akuzave të opozitës.
Aspak e shqetësuar për akuzat e opozitës, ministrja e Arsimit thotë se ka ikur koha e tyre dhe si për të vërtetuar këtë, tregon penalitetet për shkelësit e rregullave të maturës 2018
“Për 11 maturantët që janë kapur me cellular do të ketë përjashtime nga provimet dhe shkarkim nga detyra të drejtorit të gjimnazit të Peshkopisë”, deklaron ministrja.
E pyetur nga Top Channel, nëse ka kontaktuar me deputetin Boçi pas denoncoi me fakte se në provimin e matematikës është kopjuar, Nikolla përgjigjet: “Z.Boçi zgjodhi të denoncojë në facebook, unë zgjodha rrugën institucionale, iu drejtova prokurorisë”
Ndërsa pritet që prokuroria të nisë hetimet për dy rastet e bëra publike online, maturantët po përgatiten për provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen më 20 qershor. Testimi i fundit maturës, që për maturantët përkthehet si pikë më shumë ose më pak, ndërsa për pozitën dhe opozitën një shteg më shumë për debat dhe akuza dhe kundërakuza.
Top Channel