Ditën e mërkurë, Xhuljeta Çuni, do të zhvillonte provimin e Matematikës, nëse Xhaferr Mata nuk do ta kishte qëlluar për vdekje, më datë 8 qershor, teksa ishte nisur për t’u testuar në lëndën e Letërsisë.
Këtë të mërkurë në shkollën “Qemal Stafa”, ndihej mungesa e saj, si vajzë dhe nxënëse e shkëlyer me të cilën shoqet e klasës konsultoheshin para çdo provimi.
“Xhuljeta ishte një nga njerëzit më gazmorë të klasës, ishte ajo që na ndihmonte gjithmonë për të arritur objektivin tonë për një notë të mirë. Ka qenë një ndër vajzat më të dashura. Ne i thërrisnim gjithmonë Xhuli kaçurrelse që rrinte gjithmonë në bankën e parë”, tregojnë shoqet e saj.
Një nga mikeshat më të ngushta të saj, që e njeh që në shkollën 9-vjeçare, Xhuljetën e ndarë nga jeta ende pa e nisur atë, rrëfen bisedën e fundit më 7 qershor, 1 ditë përpara vdekjes.
“Po kërkonte një uniformë për diplomimin dhe mbrëmjen e maturës, ku nuk do të arrijë dot që të marrë pjesë”, thotë ajo.
Por, sa i takon jetës së saj personale, shoqet thonë se Xhuljeta ishte natyrë e mbyllur dhe se nuk fliste për marrëdhëniet me djemtë. Vajzat thonë se gjithçka që dinin për të lidhej vetëm me shkollën.
“Nëse do e dinim ndoshta do të bënim diçka, por tani është vonë”, thonë ata.
Ndërkohë, lidhur me hetimin që nisi për kallëzimin që Xhuljeta deponoi në komisariatin numër 3, reagoi edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i cili thotë se efektivët që trajtuan rastin nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore.
Top Channel