Ish minatorët e minierës së Memaliaj iu bashkuan protestës së minatorëve në gjithë Shqipërinë në lidhje me statusin e minatorit.
Sipas tyre një minator sot merr pension 16.000-18.000 lekë një shifër qesharake në krahasim me vështirësitë me të cilat janë përballur gjatë punës.
Ata kërkuan edhe trajtimin e e duhur mjekësor, duke theksuar se etapat e diskutimeve me qeverinë kanë marrë fund, pasi shteti i ka harruar dhe tashmë është koha e protestave.
Dhjetëra minatorë të dalë në pension nga e gjithë Shqipëria kanë protestuar të mërkurën edhe në Tiranë duke kërkuar të drejtat e tyre dhe votimin e Statusit të Minatorit, i cili ende mbahet peng duke mos u hedhur për votim në Kuvend.
Pas 3 vitesh diskutimesh, Ministria e Industrisë dhe Energjisë ka miratuar bashkë me grupet e interesit draftin përfundimtar për Statusin e Minatorit, nga i cili do të përfitojnë 5-6 mijë punonjës të nëntokës por ky draft ende nuk ka kaluar në parlament ndërsa komuniteti i minatorëve nuk ka rënë dakord me draftin paraprak të ligjit.
Minatorët kundërshtojnë shumicën e pikave të statusit por konfirmojnë dakordësinë me vetëm 11 pika të draftit që do të rregullojë ushtrimin e këtij profesioni në vijimësi.
Top Channel