Reforma nis me blerjen e votave; PS e PD marrin këshilla italiane kundër fenomenit

12/06/2018 15:08

Sipas raportit të fundit të OSBE-ODIHR, shit-blerja e votës është shndërruar në problem kryesor të zgjedhjeve shqiptare. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore bashkëkryetari socialist Bledi Çuçi tha se ky fenomen është i vjetër, prek disa aspekte të procesit dhe kërkon ndërhyrje disaplanëshe.

“Është rekomanduar nga ODIHR në zgjedhjet e 2013-ës, 2015-ës dhe 2017-ës për adresim në mënyrë pak më specifike këtë problem. Është një problem që prek gjithë aspektet që lidhen me organizimin e procesit. Nuk është çështje e një partie e një individi, por çështje shqiptare që do kontributin e të gjithëve për ta minimizuar në mënyrë që të kemi zgjedhje të Standardeve të OSBE/ODIHR-it”, u shpreh deputeti i PS, Bledi Çuçi, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi konstatoi si tregues problematik raportin e drejtë që sipas tij ekziston mes përhapjes së krimit dhe trafikut të drogës dhe rritjes së shit-blerjes së votës.

“Adresimi i shit-blerjes së votës në 2013 shfaqet si rekomandim për herë të pare, në 2017-ën ai bëhet fatkeqësisht rekomandim prioritar. Po flasim për një mekanizëm më të përhapur më të strukturuar përmes korrupsionit dhe financimit përmes parasë së krimit të organizuar dhe drogës. Duke parë nivelin në rritje të këtyre problemeve konstatojmë dhe rritjen e shit-blerjes së votës. Nga ana tjetër mund të shkruajmë nene pa fund, ngremë mekanizma shumë të mirë në letër, por vullneti politik për zbatim është thelbësor”, tha deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Antonio Korbo këshilltar i Gjykatës së Kasacionit në Itali dhe ekspert i Këshillit të Europës tregoi masat që Italia ka marrë ndaj korrupsionit elektoral deri tek ndikimi i mafias tek politikanët në fushatë tha:“Politikani që bën marrëveshje me një organizatë kriminale do të përgjigjet penalisht për pjesëmarrje nga jashtë në këtë organizatë kriminale, pasi kjo marrëveshje ka shërbyer edhe për ta forcuar grupim kriminal”.

Po ashtu në Itali u kanë vënë kufi shpenzimeve të kandidatëve dhe partive në fushatë. Nëse kapërcehet apo nëse nuk deklarohen shpenzimet deputeti fitues i hiqet mandati ai që nuk fiton ndëshkohet me ligj. Por të gjithë bien dakord që të funksionojë ashpërsimi i ligjit duhet të shkojë paralel me forcimin e vullnet politik për zbatimin e tij dhe veçanërisht për ndërgjegjësimin e qytetarëve se ekzistojnë garancitë për lirinë dhe fshehtësinë e votës së tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA