Gjithçka filloi në vitin 1991, me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë. Ish-Republika Jugosllave e quajti veten Republika e Maqedonisë dhe zgjodhi një flamur, që Greqisë i kujtonte simbolet helene.

Bashkë me emrin, besonte Athina, Maqedonia mund të ngrejë edhe pretendime rajonale ndaj veriut të Greqisë, rajon që po ashtu quhej Maqedoni. Megjithëse me këmbënguljen e Greqisë, Maqedonia e gdhëndi të shkruar edhe në Kushtetutë se nuk ka pretendime territoriale, Athina ishte e shqetësuar për flamurin. Ky i fundit u ndryshua duke shndërruar yllin shumëcepësh në një yll me tetë cepa që simbolizon diellin.

Maqedonasit e rinj nuk ndihmuan në shuarjen e shqetësimit, duke i vendosur emrin aeroportit kryesor “Aleksandri i Madh”, hero i lashtësisë greke. Po të njëjtin emër i vendosën edhe një autostrade që shtrihej nga kufiri serb tek ai grek. Erdhi një moment, kur u desh që në këtë përplasje të përfshihej edhe organizata e Kombeve të Bashkuara, me ndërmjetësimin e të cilës të dyja vendet nisën bisedimet për një emër të pranuar prej tyre.

Por, propozimet e njëpasnjëshme u hodhën poshtë me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimiç, i cili endej nga Nju Jorku në Athinë apo Shkup, e kthehej sërish duarbosh. Nimiç kaloi më shumë kohë duke u marrë me çështjen e emrit në dy dekada diplomaci të lëvizshme, se kushdo tjetër.

Që nga 1994, diplomati amerikan ka kërkuar një marrëveshje, por pa sukses. Ndërkohë, në OKB dhe një numër vendesh të tjera, kur flitej për Maqedoninë thuhej Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, FYROM. Shqipëria dhe Kosova, por edhe vende si Rusia, SHBA dhe Kina, e kanë njohur atë me emrin Republika e Maqedonisë. E pas 27 vitesh përplasje mbi emrin, më në fund është arritur dakordësia.

Republika e Maqedonisë Veriore ose Severna Makedonija. Qëllimi i marrëveshjes është heqja e bllokadës së Greqisë ndaj ambicjes së fqinjit të saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, por sidoqoftë gjithçka duhet të marrë miratimin e popullit maqedon dhe Parlamentit grek.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA