Mbushen gropat e autostradës, devijohet trafiku në Tiranë-Durrës

11/06/2018 14:43

Qytetarët që udhëtuan këtë të hënë nga Tirana në drejtim të Durrësit përmes autostradës u përballën me një trafik të rënduar. Shkak u bë nisja e punimeve për shtimin me asfalt të gropave në segmentin Mbikalimi Rinasit-Vorë.

Devijimi i automjeteve u bë në rrugën dytësore ndërsa qytetarët mbetën të bllokuar në trafik. Pati dhe nga ata që jashtë kamerave thonë se kanë humbur avionin. Autoriteti rrugor njoftoi mbylljen e rrugës vetëm 2 ditë më parë, një kohë e shkurtër kjo që qytetarët të merrnin masa pasi disa nuk ishin informuar.

Ministri i Transporteve njoftoi se do ketë ndërhyrje edhe në rrugët e tjera nacionale.

“Ky nuk segmenti i vetëm që ndërhyhet, në të gjithë Shqipërinë, në muajt në vazhdim do të shikoni ndërhyrje serioze në shumë akse rrugore. Pra janë të gjitha akset kryesore kombëtare që janë me këtë kontratë, qoftë në jug, qoftë në veri të cilat do të kenë ndërhyrje serioze për sa i përket rehabilitimit, përsa i përket mirëmbajtjes normale ku do të eliminohen të gjitha ato probleme të trashëguara ndër vite”, u shpreh Gjiknuri.

Punimet në sensin Tiranë-Durrës do ndahen në disa faza ndaj trafik i rënduar pritet edhe në ditët në vijim.

“Kërkohet nga drejtuesit e mjeteve të zgjedhin rrugët alternative në drejtim të Durrësit si Rruga e Ndroqit, ose nga rruga e Elbasanit për ata që ikin drejt jugut pasi është një rrugë me kapacitet”, u shpreh Ismet Roqi.

“Arnimi ” i gropave në autostradë me kosto 615 mijë euro po bëhet me fondet dhe ndërhyrjen e bankës botërore. Punimet do të zgjasin disa javë ndërsa ndërhyrja në fillim të sezonit turistik u pa si zgjidhje emergjente si pasojë e gjendjes katastrofike të rrugës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA