“Tirana Triathlon”, qytetarët mbushin Parkun e Farkës. Veliaj: Tirana, një nga 10 qytetet më të mira për t’u vizituar

10/06/2018 13:24

Liqeni i Farkës u shndërrua këtë të dielë në mikpritësin e garës së parë të “Triathlon”-it në Tiranë, një sport që bashkon 3 disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap.

Në garë morën pjesë sportistë profesionistë dhe amatorë, por vendin e parë për femra e zuri Jelena Tomaseviç, kurse për meshkuj Strahinja Trakiç.

Në nisje të saj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti pjesëmarrësit dhe qytetarët e shumtë të ardhur në Parkun e Farkës, i cili falë investimeve të bashkisë është tashmë jo vetëm një destinacion argëtues për fundjavën, por edhe një ide e shkëlqyer për aktivitete sportive në natyrë.

Veliaj theksoi se, falë aktiviteteve të tilla sportive dhe kulturore të organizuara në kryeqytet, mediet prestigjoze ndërkombëtare e rendisin Tiranën si një ndër 10 qytetet më të mira për t’u vizituar në Europë.

“Jam shumë i lumtur që ‘Lonely Planet’ e ka renditur Tiranën si një nga 10 qytetet më të mira për t’u vizituar në Europë. Kjo do të thotë se puna që kemi bërë bashkë, jo vetëm bashkia, por i gjithë qyteti me njw milion banorë, ia kanë rritur emrin Tiranës, që sot është një nga 10 qytetet më të vizitueshme në Europë”, tha Veliaj.

Teksa vlerësoi organizimin e garës së parë të “Triathlon”-it, kryebashkiaku tha se kjo nismë do të kthehet në një traditë të suksesshme, duke sjellë edhe mjaft vizitorë të huaj.

“Duhet të pranojmë që është vetëm hera e parë që organizojmë një aktivitet të tillë. Kur organizuam Maratonën e Tiranës, në garën e parë kishim vetëm 100 vetë. Në garën e dytë kishim 2.500 garues vetëm nga jashtë; është vetëm çështje sa të kalojmë testin e parë të një gare profesioniste dhe vitin tjetër të kemi mijëra të tjerë, që ndoshta do na vijnë nga vende të ndryshme”, deklaroi Veliaj.

“Tirana Triathlon” është edhe një mundësi e mirë promovimi e sporteve të ndryshme, aktivitetit fizik dhe promovimin e pikave turistike të kryeqytetit, si natyra fantastike e Liqenit të Farkës. Veliaj siguroi se shumë shpejt, edhe Liqeni i Farkës do të kthehet në një hapësirë tërheqëse për qytetarët e Tiranës për të kaluar disa orë çlodhjeje pranë natyrës.

“Është vetëm çështje kohe derisa Parku i Farkës të bëhet aq popullor sa Parku i Liqenit të Tiranës. Po të shikoni gjithë perimetrin e Farkës, ka mbi 20 mijë pemë nga 126 mijë që kemi mbjellë. Por siç e dini, nuk mjafton vetëm infrastruktura, po nuk pati frymë, energji njeriu që ta jetojë këtë park, s’ka kuptim. Në njëfarë mënyre ky është edhe një promovim i parkut të Liqenit të Farkës, i cili po kthehet në mushkërinë e dytë të Tiranës”, tha Veliaj.

Ndërkohë, sportistët garues në Tirana Triathlon përshkruan distancat 750 m not, 11 km biçikletë dhe 4 km vrap të zhvilluara njëra pas tjetrës. Përgjatë të gjithë itinerarit ishin të pranishëm Policia Bashkiake, ambulanca dhe vullnetarë, të cilët ndihmuan garuesit në sinjalistikë dhe në pikat e shpërndarjes së ujit.

Fituesit e Tirana Triathlon:

Për kategorinë meshkuj
1- Strahinja Trakic
2- Luka Cupic
3- Dusan Tomasevic

Për kategorinë e femrave
1- Jelena Tomasevic
2- Zana Pavicevic
3- Meredith Himestra

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA