Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me anë të një statusi në Facebook deklaroi se qeveria “ka propozuar një draft ligjor për të kaluar jashtë çdo standardi ligjor dhe kushtetues projektin për prishjen e Teatrit Kombëtar”.
“Ndonëse të zhytur në skandalin e ministrit Xhafaj dhe atë të ish-ministrit Tahiri, qeveria Rama nuk rresht së grabituri pasuritë publike për interesin e një klientele të vogël. Pak ditë më parë, një qeveri e etur dhe uritur për abuzime ka propozuar një draft ligjor për të kaluar jashtë çdo standardi ligjor dhe kushtetues, projektin për prishjen e Teatrit Kombëtar. Pasi dështuan që ta realizonin planin e prishjes së Teatrit Kombëtar me metodat e shëmtuara, qeveria ka vendosur që të prodhojë një ligj për t’i dhënë me koncesion kompanisë private prishjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave. Një procedurë e ngjashme u ndoq edhe për aeroportin e Vlorës, ku dy superministrat e pazarit qeveritar, Ahmetaj dhe Gjiknuri, morën përsipër negocimin e kontratës me palën turke duke lënë qytetarët dhe Parlamentin në errësirë”, shkruan Tabaku.
“Pse nuk zbatohet ligji i prokurimit publik? Pse nuk zbatohet ligji i koncesioneve? Pse nuk bëhet një tender ndërkombëtar? Si mundet te grabitet toka publike dhe private dhe ti jepet me koncesion një kompanie private? Kështu Tiranës dhe vendit i zhduket një pasuri kombëtare ndërkohë që qeveria majmet përmes koncesioneve që pasurojnë vetëm një grusht njerëzish. Ky projektligj është tërësisht antikushtetues pasi ligji për koncesionet/prokurimet konsiderohet si ligji kryesor në fushat përkatëse”, shton deputetja demokrate.
Top Channel