Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e llogaridhënies këtë herë me qytetarët e Lushnjes.
Rama e nisi fjalën e tij edhe njëherë duke u bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë problemet e tyre në platformën online të bashkëqeverisjes. “Jo vetëm do merrni zgjidhje, por do të ndëshkohen edhe ata që kanë shkelur ligjin”, u shpreh Rama, i cili tha se deri tani janë mbi 150 punonjës të administratës për të cilët janë marrë masa.
Ndërsa komentoi vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët, Rama u shpreh se reforma nuk do të ndalet me kaq.
“Një pjesë e ankesave që kemi marrë lidhet me proceset gjyqësore dhe kjo është arsyeja pse ne po shtyhemi fortë për të bërë reformën në drejtësi për të pastruar sistemin nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Një pjesë e tyre përjashtohen për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, por mos mendoni se do të mbarojë këtu, por dua të kujtoj se “dardha e ka bishtin pas”. Reforma do të merret me të gjithë, politikanë e biznesmenë”, tha Rama.
Sa i përket punësimit, Rama tha se është një nevojë e madhe që papunësia vazhdon të jetë një problem, por ne jemi në një proces dhe vetëm nga zyrat e punës synojmë që deri në fund të vitit të kemi më shumë se 25 mijë vende të reja pune.
Top Channel