Turin e tij të llogaridhënies, kryeministri Edi Rama e vijoi në qytetin e Fierit, ku ndau planet e investimit të qeverisë, me banorët e pranishëm. Rama theksoi resurset turistike të pashfrytëzuara të Fierit dhe tha se qeveria do të investojë për të marrë maksimumin.

“Fieri ka mundësi shumë të mëdha turistike, që për momentin janë të pashfrytëzuara. Shumë shpejt do të nisim investimin për ndërtimin e rrugës Fier-Seman, për të rritur fluksin turistëve edhe në atë plazh mjaft të preferuar”, deklaroi Rama.

Kryeministri foli edhe për “By Pass”-in e Fierit, që është shndërruar në një legjendë tashmë, ndërsa premtoi se brenda muajit shtator do të nisë puna për ta përfunduar njëherë e mirë.

“Jemi duke punuar, që brenda shtatorit të nisë puna edhe për përfundimin e “By Pass”-it të Fierit, që do t’i japë frymëmarrje qytetit dhe do të lehtësojë trafikun”, u shpreh kryeministri.

Edi Rama premtoi mbështetje për iniciativat private, ndërsa edhe njëherë bëri thirrje që të rinjtë të hedhin sytë nga zanatet, pasi janë fusha të caktuara ku ka mungesa profesionistësh.

“Qeveria ka gati edhe një plan për investimet individuale, por kam një apel edhe për të rinjtë, që të shohin më shumë nga profesionet, jo vetëm nga universitetet. Kjo sepse aktualisht në Shqipëri kemi një mungesë të theksuar profesionistësh dhe për këtë mjafton të përmend që në vendin tonë vijnë e punojnë saldatorë nga Tailanda, Kina, Turqia, apo edhe Pakistani. Kompani shqiptare detyrohen të paguajnë profesionistë nga shtete të tjera, pasi nuk gjejnë në vendin tonë”, deklaroi Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA