Protesta ndaj Ramës edhe në Fier, Basha: Drejtori i Policisë grisi banderolën e PD

09/06/2018 21:44

Përmes një videoje të postuar në rrjetin social, kreu i PD denoncon atë që sipas tij është një rast i paprecedentë, grisjen e banderolës së PD nga drejtori i policisë Fier dhe efektivëve të tjerë të policisë, teksa në këtë qytet kishte mbërritur kryeministri Rama.

Në video dallohen një grup personash që kanë dalë në rrugët e Fierit me pankarta e banderola, e në momentin që kanë nxjerrë këtë të fundit ka pasur një moment konfrontimi mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Në video dallohen zëra të efektivëve që ishte e paligjshme nxjerrja e banderolës.

Deklarata e kryetarit të PD, Lulzim Basha
Shihni si ka përfunduar policia e shtetit: një polici private në shërbim të dyshes Rama-Xhafaj. Drejtori i policisë i pari dhe policët e tjerë pas tij rrëmbejnë dhe grisin banderolën e qytetarëve që protestojnë paqësisht dhe me dinjitet kundër krimit dhe drogës. Policë që kacafyten me qytetarët për të mbrojtur shefin! Turp dhe mjerim!

Këta policë as nuk e kanë idenë se veprimet e tyre janë dhunim i çdo të drejte njerëzore dhe politike, të drejtës së shprehjes, të drejtës së protestës, të drejtës për t’u dëgjuar, – sepse ata njohin vetëm shefin dhe jo Kushtetutën dhe ligjin. Janë Jaerd Çelët dhe Ermalët e policisë që edhe trafik droge bëjnë për shefin e vëllezërit dhe kushërinjtë e shefit.

Shikoni hendekun e madh që ekziston sot në Shqipëri mes qytetarëve europianë dhe shtetit antieuropian. Këta policë duhet të luftojnë drogën dhe krimin që Shqipëria të hyjë në BE, por si banditë ata luftojnë qytetarët që ngrenë zërin kundër drogës dhe krimit.

Shikoni gjithashtu nervozizimin e policëve si shenjë e një sistemi që po rrëzohet, siç rrëzohen regjimet antipopullore dhe antidemokratike. Qytetarët europianë po triumfojnë përditë mbi qeveritarët antieuropianë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA