PD, Vokshi: Qeveria po mbledh informacione private për 80% të votuesve

09/06/2018 12:24

Partia Demokratike vijon të denoncojë mbledhjen e të dhënave personale të pacientëve, punonjësve të administrarës dhe prindërve të fëmijëve që ndjekin arsimin publik për t’i përdorur në zgjedhjet e ardhshme.

Albana Vokshi në një dalje për mediat tha se PD i ka kërkuar komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave të hetojë dhe reagojë, por dhe ka dorëzuar padi penale në prokurori për shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, duke kërkuar pezullimin nga detyra të Ministreve Manastirliu dhe Nikolla, deri në hetimin e plotë nga ana e prokurorisë.

“Në shkresën e parë, Komisioneri Urdhëronte pezullimin e menjëhershëm të të dhënave nga Ministria e Arsimit. Në këtë shkresë, Rekomandim, Komisioneri vë në dijeni që pas kërkesës së PD-së, ka kryer edhe një hetim administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë. Në Rekomandimin nr. 21 të datës 31 Maj, Komisioneri shprehet qartë se urdhri i Ministres Manastirliu që kërkon nga pacientët dhe administrata “numrin personal të identifikimit” është në shkelje flagrante të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ashtu siç PD kishte ngritur shqetësimin, Hetimi i Komisionerit konfirmon denoncimin e PD, kur shprehet se “mbledhja e të dhënave dhe përditësimi i tyre nga Ministria e Shëndetësisë nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore” pra asnjë akti ligjor apo nënligjor duke nxjerrë zbuluar mashtrimet e Ministreve Manastirliu dhe Nikolla.

Komisioneri vlerëson se në shkelje të ligjit është gjithashtu numri i madh i të dhënave të tjera të kërkuara nga ministrja e Shëndetësisë, e cila e nisi procedurën e paligjshme me urdhër të Edi Ramës.

Legjislacioni në fuqi e ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e të dhënave pa ditur qëllimin. As pacientët, as punonjësit e administratës, nuk janë informuar mbi qëllimin dhe mënyrën e përpunimit të të dhënave. Ata janë shantazhuar dhe kërcënuar me pushime nga puna, nëse nuk plotësojnë tabelën e dërguar nga zyra e Ramës, tabelë në të cilën ndodhen të dhënat personale që do t’i shërbejnë Edi Ramës për operacionin e paligjshëm të blerjes së votës apo intimidimit të votuesve”, deklaroi Albana Vokshi.

Ajo ka akuzuar edhe prokurorinë. “Prokuroria është shumë e zënë me manipulimin e provave dhe mbylljen e skandalit tjetër të madh, atë të vëllezërve Xhafaj dhe nuk ka bërë asnjë veprim për të hetuar urdhrat e paligjshëm dhe antikushtetues të dy ministreve të tjera, Manistirliu dhe Nikolla. Prokuroria hesht, sepse një hetim i pavarur do t’i çonte tek zyra e Kryeministrit dhe zbulimin e skandalit të të gjitha skandaleve: atë të skemës për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha ajo.

Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë këtë çështje me të gjitha format institucionale si dhe do ta adresojë në institucionet përgjegjëse të BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA