Korsia më e re e biçikletave të çon te Parku i Liqenit! Merr Pedalo për qejfin tënd me Mobike

09/06/2018 11:08

Tirana është duke revolucionarizuar transportin e saj qytetas, ku krahas ardhjes së 4 mijë biçikletave moderne Mobike, puna vijon paralelisht edhe për zgjerimin e rrjetit të korsive të dedikuara për të mbrojtur pedaluesit.

Këto ditë në kryeqytet janë shtuar të tjera rrugë të cilat janë të pajisura me korsi të dedikuara për çiklistët, që jo vetëm do të lehtësojnë qarkullimin e tyre, por njëkohësisht edhe do të rrisë sigurinë e jetës.

Një nga korsitë e reja është ajo që të çon në drejtim të Parkut të Liqenit, një nga zonat më të frekuentuara në qytet.

Tashmë në rrugët e reja, por edhe ato ekzistuese po reflektohen të njëjtat parametra si bulevardet europiane, ku mendohet për hapësirat që respektojnë ata që duan të lëvizin me makina, por në të njëjtën kohë edhe kalimtarët apo ata që lëvizin me biçikleta.

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e dyrrotakëve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme. Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka vendosur një fond të posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e saj dhe se rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat.

Bashkia e Tiranës në zbatim të strategjisë së transportit të qëndrueshëm në kryeqytet, parashikon sistemim e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues duke i dhënë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe lëvizjes këmbësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA