Nga fshati Shëngjergji, i Tiranës, ministri i Bujqësisë ka bërë të qartë se reforma e nisur në shërbimin veterinar është shumë e domosdoshme, veçanërisht tani në këtë fazë, pasi ajo do të japë mundësinë e një funksionimi sistemit zinxhirit të sigurisë ushqimore, nga ferma në tavolinat tona.
“Ne jemi duke bërë një reformë në shërbimin veterinar. Kemi veterinerë të Bashkisë, veterinerë të AKU-së, veterinerë të Shërbimeve të Drejtorive të Bujqësisë, kemi klinika veterinare private. Kemi dhe veterinerë autonomë. Të gjithë këta kanë role të ndryshme për të luajtur, por vende –vende mbivendosen me njëri- tjetrin. Çfarë do të bëjë kjo reformë? Kontrollin e kalon të gjithin tek AKU-ja, nga ferma, matrikullimi, vaksinat etj. Do të kontrollohen nga kontrollorë dhe inspektorë të AKU-së, deri në tavolinë, deri në dyqan”, tha Peleshi.
Sipas ministrit Peleshi, bashkitë nuk do të merren më me shërbimin veterinar, duke ia lënë këtë kompetencë drejtorisë së re të shërbimit veterinar, e cila do të merret me shëndetin e kafshëve.
Ministri është shprehur se kjo reformë, ndër të tjera, do të ketë dhe një impakt në punësim, për arsye se, sipas strategjisë të re në kuadër të reformës në shërbimin veterinar, çdo njësi administrative në vend, duhet të ketë të paktën një veteriner, që do të mbulojë zonën dhe problemet që mund të lindin ose hasen, duke filluar që nga matrikullimi, bërja e vaksinave etj. Do të jenë këta veterinerë, përgjegjës kryesorë për mbarëvajtjen e këtyre proceseve.
“Reforma ka dhe një element tjetër. Do ta dyfishojë a më shumë numrin e veterinerëve. Dhe do të synojmë, do të bëhet fakt, çdo njësi administrative do të ketë veterinerin e vet. Të paktën një veteriner, që çdokush do ta dijë se kush e mbulon, kush është veterineri përkatës. Në qofte se ndodh një problem: nuk ka matrikullim, nuk janë bërë vaksinat, për çdo dështim në këtë fushë dihet që përgjegjësinë e ka veterineri i zonës. Kemi mbi 300 njësi administrative në gjithë Shqipërinë, kështu që na duhet të dyfishojmë, madje dhe më shumë se dyfishojmë numrin e veterinerëve.”
Top Channel