Opozita kërkoi me ngulm praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj në seancën plenare, por aty u shfaq vetëm kreu i Qeverisë.
Në përpjekje për të normalizuar punimet, Gramoz Ruçi iu drejtua Lulzim Bashës duke i thënë në një moment se si Kryeministri, ashtu edhe ministri i Brendshëm janë në takime me partnerë ndërkombëtarë.
Në momentin e kësaj deklarate, Fatmir Xhafaj me gjasa ka qenë në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme, në pritje të një takimi me ambasadorin amerikan, Donald Lu.
Takimi i mes tyre u zhvillua për 20 minuta kokë më kokë.
Siç njofton Ministria e Brendshme, takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në vend dhe veçanërisht në përpjekjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë.
Ambasadori Lu inkurajoi Ministrin Xhafaj dhe Policinë e Shtetit, për të vijuar edhe më me intensitet përpjekjet për më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, pasi kjo sipas tij, është ajo çka qytetarët presin sot më shumë se çdo herë tjetër, nga Policia e Shtetit. Ai konfirmoi edhe njëherë mbështetjen dhe asistencën e SHBA-ve dhe Agjencive ligj zbatuese, për thellimin e rezultateve të deritanishme.
I shoqëruar nga Xhafaj, ambasadori Lu vizitoi edhe efektivët e Task Forcës Speciale.
“Jam i impresionuar nga veprimtaria juaj dhe nga fakti se nuk po i tundoheni lidhjeve të elementëve kriminalë me politikën. Keni mbështetjen tonë të plotë, të misionit ICITAP dhe Agjencive të tilla si FBI dhe DEA. Shpejt, Ju do të ndiheni krenarë sesi Task Forca Speciale do të ndryshojë të ardhmen e vendit”, theksoi Ambasadori.
Top Channel