Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi kryeministri Edi Rama erdhi në sallën e Kuvendit, deklaroi nga foltorja të enjten se kreu i qeverisë “po bllokon integrimin për Tahirin dhe Xhafajn”.

“6 javë më parë e mori mesazhin që negociatat po rrezikohen nga lufta e pamjaftueshme ndaj krimit. Është e papranueshme për Evropën që të ulet në tavolinën e bisedimeve me një vend që ka një qeveri që e ka futur vendin te 20 më të korruptuarit e botës. Tahiri, për 4 vite e shndërroi Shqipërinë në strehën e krimit të organizuar dhe pikë kyçe për trafikun e kokainës dhe heroinës”, deklaroi kreu i PD-së, i cili refuzon të lërë foltoren e Kuvendit.

Në fillim të seancës, Basha kërkoi me doemos praninë në Kuvend të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt: “Seanca nuk duhet të vazhdojë pa Ramën e Xhafajn. Llogaridhënia e tyre për të ardhmen europiane është detyrim moral e politik. Nëse nuk duan të vijnë më në këtë sallë, të largohen sot dhe të çlirojnë Shqipërinë nga aleanca me krimin që është pengesa numër 1 për integrimin europian të vendit”.

Më pas, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke detyruar kreun e tij Gramoz Ruçi që të ndërpresë seancën.

Pas rifillimit, Basha mori sërish fjalën, me të njëjtën kërkesë.

“Pse Rama e Xhafaj nuk vijnë sot në Parlament që të përballen me opozitën? Çfarë kanë më të rëndësishme që nuk vijnë? Të dalin nga vrima ku janë strukur e të vijnë e të përballen me të vërtetat. E vetmja punë që bëjnë është mbrojtja e krimit dhe aferave kriminale ku janë zhytur”, theksoi Basha.

Gramoz Ruçi i dha përgjigje Bashës duke thënë: “Rama dhe Xhafaj po bisedojnë me aktorë dhe faktorë ndërkombëtarë. Në kohën e duhur do të jenë prezent në sallën e Parlamentit, për të diskutuar ligjet. Ju lutem që të lironi foltoren”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA