Oficeri bëhet mësues matematike në Devoll

07/06/2018 20:26

Përgjegjësi i zyrës Arsimore Alban Fetolli në Devoll shkel ligjin, duke lejuar licencimin e mësuesve jashtë profilit, oficerin e ka bërë mësues matematike dhe fizike, mësuesen e ciklit të ulët mësuese matematikë.

Ai shkel mbi të drejtat e punonjësve duke mos i dhënë konfirmimin e statusit të nëpunësit civil. Inspekton për të përfituar dieta e karburant, shkolla të cilat janë mbyllur prej vitesh. Emëron drejtor shkollash të cilët kanë marrë pikë minimale në portalin e mësuesve.

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e të enjtes drejtorin e ZA Devoll, Alban Fetollin, i cili ka abuzuar me detyrën e tij. Ai ka licencuar mësues jashtë profilit ku një ish oficer e ka vënë të japë orët e matematikës dhe të fizikës, kurse një mësuese që është diplomuar për Cikël të Ulët e ka vënë të japë matematikë.

Gazetarët e Fiksit i kërkuan një intervistë përgjegjësit të ZA Devoll, por ky i fundit fillimisht nuk pranon të përgjigjet. Pas insistimit të gazetarëve të Fiks Fare Fetolli shprehet se nuk mban mend asgjë nga shkeljet që i radhitën gazetarët, nuk mban mend as emrat e drejtorëve të shkollave, vartës të tij.

Vitin e kaluar është mbajtur një takim midis një specialisti të Ministrisë së Arsimit dhe përgjegjësit të zyrës, ku janë udhëzuar gojarisht të japin dorëheqjen në bazë të Urdhrit të kryeministrit Rama, drejtor shkollash, që kanë marrë pikë minimale në testin e provimit të vitit 2015,ose më pak se mesatarja e pikëve të shkollës ku drejtojnë. Edhe pse ka kaluar një vit asnjë nga këto udhëzime nuk është zbatuar.

Në Bilisht nuk janë larguar nga detyra Elona Limka drejtoreshë e shkollës “Dritëro Agolli”, e cila pretendon që ka marrë 22 pikë, por nga informacionet e gazetarëve të Fiks Fare, zonja ka marrë më pak pikë. Anjëza Çobani, drejtoreshë e Menkulasit, Florenc Zyfi, nëndrejtor i shkollës “Dritëro Agolli” i cili ka marrë gjithsej 0 pikë. Në këtë testim pikët maksimale kanë qenë 30. Të sipër përmendurit janë pjesë e strukturave të PS-së.

Gazetarët i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit me një shkresë zyrtare , por MASH nuk e ka bërë transparent rezultatin e këtij provimi. Ata pretendojnë se nuk e bëjnë publik, për arsye të ruajtjes së konfidencialitetit.

Një tjetër shkelje që Fiks Fare zbuloi për Alban Fetollin, ishte se ai inspektonte shkolla të mbyllura para disa vitesh vetëm e vetëm për të përfituar dieta të cilat i plotësonte dhe firmoste vetë. Gazetarët e Fiksit e kanë pyetur nëse ekziston apo jo shkollë në fshatin Shyec të cilin ai e kishte inspektuar në muajin mars dhe Fetolli shprehet “ Nuk e di”. Madje ai pretendon se pyetjet që i bënë gazetarët e Fiksit ishin shumë të vështira.

Shkelja e radhës e drejtorit të ZA ka qenë shkelja e ligjit me konfirmimin e nënpunësit të shërbimit civil, siç ka ndodh konkretisht me znj. Alma Hoxhalli. Për dy vjet rresht ai ia ka mohuar këtë të drejtë ligjore dhe vëtm kur u vu me shpatulla pas muri nga Avokati I Popullit dhe Departamenti i Administratës Publike e konfirmoi emërimin e saj. Këtë e bëri në një mënyrë “alla” Fetolli me një shkresë që mbante një numër protokolli ekstra. Shkresë të cilën zyra e protokollit nuk e disponon. I pyetur edhe për këtë rast drejtori nuk sqaron se nga ka dalë shkresa me numër protokolli ekstra dhe se çfarë është numri i protokollit ekstra.

Për sa i përket rastit të licensimit të dy mësuesve jashtë profilit , doli në pah edhe nga një audit që bëri Ministria e Arsimit në 2015 . Pyetur nga gazetarët e Fiksit drejtorët e shkollave ku janë emëruar mësues matematike, oficeri dhe mësuesja e ciklit të ulët, ata shprehen se kanë zbatuar udhëzimet e ZA Bilisht . Fillimisht mësuesit kanë qenë me kontratë të përhershme, por pas auditit ata kanë kaluar me kontratë të përkohshme. Pas ardhjes në detyrë të drejtorit Alban Fetolli edhe pse këto emërime nga auditi kishin dalë me shkelje, drejtori urdhëron që mësuesve tu ndryshojë sërish kontrata në të përhershme.

Gazetarët e Fiks fare iu drejtuan dhe Drejtorisë Arsimore Korçë, ku drejtori juridik shprehet se është shkelur ligji , por që mësuesit janë me licencë dhe nuk është marrë asnjë masë. Edhe Ministria e Arsimit këto i sheh si problematika ligjore të trashëguara, por që po mundohen të gjejnë një zgjidhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA