Lulzim Basha tha këtë të enjte nga selia e Partisë Demokratike se çështja ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm është paravendosur.
“Të dhënat tona të besueshme, të konfirmuara edhe nga disa burime, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, konfirmojnë se Fatmir Xhafaj ka paracaktuar rezultatin final të hetimit”, u shpreh ai.
Ky skenar, sipas Bashës është ai që Partia Demokratike ka paralajmëruar për çështjen e vëllait të ministrit të Brendshëm.
“Ashtu siç ka urdhëruar dhe paralajmëruar edhe Edi Rama:
– audio-përgjimi do të vlerësohet jo autentik, kësaj here edhe me vulë të prokurorisë Rama-Xhafa-Marku;
– zëri i Agron Xhafajt do të dal zëri i Arta Markut;
– trafiku i drogës do të konsiderohet eksport bananesh;
– trafikanti Agron Xhafaj do të shpallet aktor e më pas qytetar nderi;
– Fatmir Xhafaj do të kurorëzohet Ministër kampion në luftën ndaj trafikut të drogës”, shtoi kreu i PD-së.
Kronologjia e 24 orëshit deri në dorëzimin e Agron Xhafajt në Itali, konfirmon sipas kreut demokrat se prokuroria vepron sipas urdhrit të ministrit Fatmir Xhafaj.
“Nuk guxoi kurrë të verifikonte tabulatet telefonike të Agron Xhafajt apo qelizat telefonike të tij për të përcaktuar nëse Albert Veliu (dëshmitari X) dhe Agron Xhafaj, kanë komunikuar apo jo sëbashku, dhe nëse kanë qenë apo jo në të njëjtën vendndodhje ditën dhe orën e realizimit të përgjimit ambiental”, tha Basha më tej.
Sipas Bashës edhe për këtë rast mund të ishte kërkuar ekspertiza e FBI-së sipas precedentëve të mëparshëm të drejtësisë shqiptare. Kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla deklaroi se e gjithë historia e audiopërgjimit është një sajesë. Sipas tij,është qesharake të mendohet se audiopërgjimi po manipulohet nga shteti italian.
Top Channel