Të rinjtë e Partisë Demokratike vijojnë protestën e tyre për largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe të gjithë mazhorancës.
Ata fajësojnë qeverinë e socialistëve se po detyron shqiptarët që të largohen nga vendi.
“Të çojmë Ramën, Xhafajn e Tahirin me shpurën e rilindjes në emigrim, e të rrimë 2 milionë shqiptarë në vendin tonë”, thonë të rinjtë e FRPD-së.
Ata iu referuan statistikave të lotarisë amerikane për të ilustruar protestën e tyre dhe atë që e quajnë boshatisje të vendit.
“1 milionë shqiptarë në 3 vjet kanë plotësuar formularin për lotarinë amerikane. 110 mijë të rinj zyrtarisht kanë kërkuar azil në vendet e BE. 290 mijë qytetarë nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm. 10 për qind e fëmijëve ushqehen vetëm një herë në ditë. 50 mijë fëmijë shfrytëzohen në punë të rënda. 12 kryefamiljarë janë vetëvrare se s’paguanin dot faturën e energjisë elektrike”, vijon deklarata e të rinjëve demokratë.
FRPD fton qytetarët që t’i bashkohen protestës.
“Po nuk reaguam sot, nesër narkokryeministri nuk do të na mohojë veç fjalën, por do të na kërcënojë dhe jetën. O sot, o kurrë të shporrim narkokryeministrin që rri si korb mbi kokat e shqiptarëve”, mbyllet reagimi i FRPD.
Top Channel