Furtuna e politikës në Parlament e jashtë tij nuk ka arrritur deri tek reforma zgjedhore. Mbledhjet e Komisionit bipartizan në Kuvend kanë munguar, por puna përgatitore vazhdon dhe brenda qershorit do të trajtohen tre çështjet më prioritare.
“Që është votimi elektronik, shit-blerja e votës dhe abuzimi me burimet shtetërore që do të jenë deri në mesin e këtij muaji”, thotë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i reformës.
Pas qershorit nis draftimi i ligjit nga ekspertët dhe kësaj here rol të dorës së parë do të kenë ekspertët e huaj.
“Që në fillim të sesionit të ardhshëm do të kemi edhe draftet për aprovim në komision dhe parlament. I kemi dhënë një rol primar këshillës ndërkombëtare europiane, Këshillit të Europës përmes Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR dhe ekspertë të tjerë me reputacion në këtë fushë”, shton Bylykbashi.
Në Tiranë zyrtarë të lartë të OSBE-së dhe ata gjermanë konfirmuan se i kanë sytë tek kjo reformë dhe nuk ju kanë munguar sinjalet për bllokim. Se puna vazhdon e konfirmojnë dhe socialistët me gojën e kryeparlamentarit.
“Unë jam besimplotë, që do të arrihet një produkt final në radhë të parë për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR”, tha Gramoz Ruçi.
Pasi shit-blerja e votës u rendit në krye të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR-it, Partia Demokratike shpalli dekriminalizimin e zgjedhjeve si objektiv duke kërkuar reformë zgjedhore që në fillim të legjislaturës.
Shqipëria ka pasur disa reforma zgjedhore, por që pas paktit Nano-Berisha që pasoi zgjedhjet problematike të vitit 2001, që u konsiderua si një pakt për reforma dhe jo për pushtet, ligji zgjedhor është bërë me konsensus.
Në raportin për zgjedhjet vendore të 2003-shit, ODIHR e cilësoi të paparë aftësinë e PD dhe PS për dialog gjatë reformës së kuadrit ligjor, frymë që nuk u reflektua në zgjedhje.
Në vitin 2004 përsëri dy forcat kryesore arriten reformë konsensuale me angazhimin thelbësor të ndërkombëtareve që ofruan ekspertizë teknike. Ndryshim thëlbësor ishte futja e numërimit të përqëndruar që hoqi mundësinë për manipulim numërimi në 5000 QV.
Zgjedhjet e shumëdebatuara vendore të 2007-ës u paraprinë nga një marrëveshje e orëve të fundit në presidencë dhe më 12 janar u shënua ndryshimi i parë i Kushtetutës së 1998-ës.
Por, nëse ai erdhi si një kompromis i vështirë, një tjetër edhe më i madh u shënua thuajse në fshehtësi prillin e 2008-ës mes Sali Berishës dhe Edi Ramës me ndryshimin e Kushtetutës dhe të kodit zgjedhor. Po ashtu reforma zgjedhore edhe në 2008 edhe në 2012 u bë me autorësi thuajse të plotë PS-PD. Ajo përmbushi një rekomandim të OSBE/ODIHR për ndryshimin e sistemi.
Shumë rekomandime të tjera morën zgjidhje dhe kodi u quajt një bazë solide për zgjedhje demokratike. Që konsensusi arriti maksimumin, provë ishte reforma Kushtetuese e sistemit zgjedhor që qëndron edhe pas ekzakt 10 vjetësh.
Për 6 vite që pasuan nuk pati reformë zgjedhore dhe kësisoj 51 rekomandimet e OSBE/ODIHt të tre zgjedhjeve të fundit duhet të marrin zgjidhje nga komisioni aktual i reformës zgjedhore.
Ai ka ruajtur modelin konsensual përtej përplasjeve politike, por ngarkesa e madhe solli një metodoliogji të re me ecjen paralel në 6 kantiere dhe me ekspertizë ndërkombëtar si faktor kyç. Ka pasur dhe reforma që kanë dështuar si ajo e 2006-ës apo e 2016-ës.
Por, ndërsa politika ka luftuar në ekstremet e saj, koha e paqes PS-PD ka sjellë marrëveshje të mëdha, kanë zemëruar të vegjlit, duke i detyruar të eksplorojnë në mënyrë të vazhdueshme skema mbijetese. Ekstremi i reagimit të tyre ishte greva e urisë e Ilir Metës dhe Nard Ndokës nëntorin e 2008-ës në dritën e një sistemi të ri zgjedhor. Ligji i ri u komentua si një goditje për Ilir Metën, por vetëm një vit më vonë partia e tij u ul në Qeveri.
Top Channel