Edi Rama nuk e fsheh optimizmin për sezonin turistik që sapo ka nisur. Nga Orikumi i Vlorës, ku ministrat paraqitën masat e hartuara për mbarëvajtjen e sezonit, Kryeministri tregoi parashikimin e tij minimal për fluksin e turistëve gjatë muajve të ardhshëm.

“Sivjet do kemi 15% më shumë se sa vjet, minimalja. Objektivi për të arritur 10 mln turistë në Shqipëri në harkun e 5 viteve të ardhshëm është tërësisht i mundur”, tha ai.

Vlorën e quajti një nga polet më të rëndësishme të turizmit dhe emblemë të ndryshimit. Faza tjetër e Lungomares, rruga Radhimë-Orikum-Llogara dhe tuneli që do e lidhë me pjesën tjetër janë disa nga projektet nga e cila do përfitojë zona, por vëmendjen kryesore Kryeministri e kishte për Aeroportin.

“Kam bindjen do e realizojmë më shpejt nga sa parashikohet dhe uroj se do të dali si unë kam bindjen dhe ne ta kemi të hapur deri pak para përfundimit të vitit 2020”, vijoi më tej.

Përsa u përket masave të sezonit, siguria është kryefjala dhe këtu kryeministri kishte një paralajmërim për ata që i quajti aventurierët e ujit.

“Kush shkel rregullat do të humbasë mjetin lundrues. Aventurierët e detit do të kthehen në tokë dhe aty duhet të kuptojnë se mund të humbasin mjetin”, tha kreu i Qeverisë.

Sa u përket qëndrave shëndetësore, Rama tha se të gjitha ato në vijën bregdetare janë transformuar për të ofruar shërbim dinjitoz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA