Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një seancë dëgjimore me një grup deputetësh të Bundestagut të kryesuar nga Florian Hahn, pjesë e Komisionit për Çështje Evropiane.
Hahn, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerësoi praninë e delegacionit shqiptar në kushtet kur edhe Bundestag shumë shpejt do të marrë një vendim për qëndrimin që do të mbajë Gjermania mbi rekomandimin e Komisionit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Ministrja e Drejtësisë i njohu pjesëmarrësit me proceset e rëndësishme shtetformuese që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fjalën e saj, Ministrja bëri me dije që rekomandimi i Komisionit të BE për hapjen e negociatave me BE është një vlerësim për të gjitha arritjet e Shqipërisë deri më tani, veçanërisht duke marrë në konsideratë që Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të thella në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar në krahasim me çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Gjonaj u ndal në arritjet e deritanishme të reformave në Shqipëri, duke u fokusuar në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e krijimit të një sistemi gjyqësor transparent, të pavarur, të paanshëm dhe efiçent në funksion të zhvillimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Ajo vlerësoi asistencën teknike dhe financiare të ofruar nga Gjermania si pjesë e misionit EURALIUS që nga fillimi i kësaj reforme, si dhe në zbatimin e saj. Më pas, ajo i njohu deputetët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht ngritja e dy Këshillave, si organet përgjegjëse të ngarkuara nga Kushtetuta me mirëqeverisjen e sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë.
Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që Qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke vënë në dukje që për herë të parë Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit.
Gjithashtu, në funksion të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, Ministrja Gjonaj i bëri me dije që Shqipëria ka miratuar në parim marrëveshjen me Eurojust, e cila i lejon autoriteteve Shqiptare që në bashkëpunim me autoritetet e tjera të vendeve të BE të kryejnë hetime të përbashkëta.
Në seancën dëgjimore morën pjesë edhe zj.Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, zj.Rudina Hajdari, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, zëvëndësministri i Brendshëm,z.Besfort Llamallari si dhe z.Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme si edhe Drejtuesi i Projektit Tëinning kundër Korrupsionit z. Detlef Kreutzer.
Top Channel