Sot në ditën Botërore të Mjedisit disa të rinj, të shpërndarë në pika të ndryshme të Tiranës, zgjodhën një mënyrë origjinale për të falenderuar qytetarët që kishin zgjedhur biçikletën si mjet lëvizës, duke iu dhuruar atyre, në shenjë mirënjohje, llamba LED miqësore me mjedisin e që kursejnë energji, si dhe nga një çantë beze për të zëvendësuar qeset plastike.
Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se mënyra më e mirë për të festuar Ditën Botërore të Mjedisit është të japësh një kontribut konkret në mbrojtje të ambientit. “Më vjen mirë që, për herë të parë, nuk po kritikojmë, por po shpërblejmë ata që janë sjellë mirë me mjedisin”, theksoi ai.
Veliaj vlerësoi vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike, të cilat do të ulin ndjeshëm ndotjen. Ai shprehu bindjen se ka ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse në ndalimin e qeseve plastike.
“Një nga arritjet më të mëdha ishte kur në Tiranë vendosëm pagesën për qeset plastike. Më vjen mirë që këtë vit e kemi çuar një nivel më lart: Qeveria e Edi Ramës, Ministria e Mjedisit morën vendimin për t’i ndaluar totalisht nga 1 Korriku. Vitin tjetër do jemi akoma më mirë se sivjet me ndalimin e qeseve plastike. Shumë vende, edhe më pak të zhvilluara se ne në Afrikë, kanë marrë vendime të tilla të guximshme. Kishte ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse kudo në Europë për t’i ndaluar përfundimisht qeset plastike”, tha kryebashkiaku.
Ai falënderoi të gjithë ata qytetarë të cilët i janë bashkuar nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, si mbjellja e pemëve apo marrja e automjeteve elektrike, duke ndikuar pozitivisht në një mjedis më të shëndetshëm.
“Fakti që këtë sezon mbollëm mbi 100 mijë pemë, është diçka që meriton mirënjohjen tonë për 100 mijë qytetarët që dhuruan modestisht pemën e tyre. Për herë të parë kemi 3 flota taksish elektrike në Tiranë dhe fakti që shumë njerëz, edhe privatisht, po fillojnë t’i marrin makinat e tyre të reja elektrike, është diçka fantastike”, u shpreh Veliaj. Ai tha se është vetëm çështje kohe që nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës të ndiqen edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.
Top Channel