Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tokio të Japonisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është takuar me homologun japonez, Taro Kono.
Në deklaratën e përbashkët pë shtyp që i parapriu takimit dypalësh, ministrat Bushati dhe Kono shprehën vlerësimin maksimal për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve që nga vizita e parë e Ministrit Bushati në Tokio më 2015-n, të cilat janë kurorëzuar me hapjen e Ambasadës japoneze në Tiranë në fillim të 2017-s.
“Jam i lumtur të konstatoj rritje të interesit të kompanive japoneze për të investuar në Shqipëri – nënvizoi Ministri Kono. Kjo do të kontribuojë edhe në zhvillim lokal të vendit. Japonia ështe e gatshme të ndihmojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të reformave drejt anëtarësimit në BE, edhe në kuadër të Nismës së Ballkanit Perëndimor të lançuar nga Kryeministri japonez në fillim të këtij viti, gjatë turit të tij në Evropën Juglindore dhe Ballkan”.
Ministri Bushati, nga ana e tij e konsideroi çeljen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, si shprehje të vullnetit politik të qeverisë japoneze për forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Ai falenderoi qeverinë japoneze për bashkëpunimin e deritanishëm, si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të vendit në 27 vitet e fundit nëpërmjet projekteve konkrete për zhvillimin e reformave shtet-ndërtuese dhe ekonomike.
“Ka ardhur momenti – nënvizoi Ministri Bushati – që marrëdhëniet ekonomike të zhvillohen në një stad të ri, ashtu si edhe ato në fushën e turizmit, edukimit dhe kontakteve mes njerëzve”. Në vijim, duke u fokusuar tek Nisma e Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, Ministri Bushati theksoi se “Përmes kësaj Nisme, Japonia do të kontribuojë në transformimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, përfshirë Shqipërinë, duke pasur parasysh se ajo është partnere e NATO-s, ku ne jemi vend anëtar, por edhe i BE-së. Ekspertiza teknike japoneze është e vlefshme për të gjitha vendet e rajonit”.
Në vijim, dy ministrat shkëmbyen mendime rreth çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet në rajonet respektive dhe kontekstin aktual të marrëdhënieve shumëpalëshe.
Gjatë ditës së sotme, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu një takim në Parlamentin e Japonisë, ku së bashku me delegacionin parlamentar u takua me kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni-Shqipëri, Hiroshi Hase dhe parlamentarë të tjerë, të cilët kanë luajtur një rol kyç në thellimin e marrëdhënueve dypalëshe. Ky takim ishte një mundësi shumë e mirë për eksplorimin e rrugëve të reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, turizmit, edukimit dhe shkencës.
Duke pasur në fokus thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion potencial i investimeve dhe projekteve japoneze ne rajon, Ministri Bushati zhvilloi takime edhe në Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe Organizatën Japoneze të Tregtisë së Jashtme. JICA informoi Ministrin Bushati mbi misionin që do të kryejë në Shqipëri gjatë javës së ardhshme, për identifikimin e projekteve të mundshme në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.
Top Channel