Me ardhjen e stinës së verës, numri i aksidenteve rrugore shtohet ndjeshëm. Duke nisur nga qershori, muaj kur edhe nis sezoni turistik, bilanci i aksidenteve që përgjakin rrugët shqiptare bëhet tragjik. Dhe aksidentet me pasoja fatale nuk kanë munguar as ditët e fundit.
Çfarë ndodh në rrugët tona, kryesisht gjatë muajve të verës?Paralajmërimet nuk kanë munguar asnjëherë por sërish në fund të sezonit flasim për një bilanc tragjik.
Drejtori i policisë rrugore, Mitat Tola ishte sot i ftuar në edicionin e mesditës në Top Channel.
Lidhur me masat e mara këtë sezon, Tola tha: “Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, fluksi dhe çfarë po shohim që në këtë muaj, prezencë të shtuar të turistëve të huaj janë marrë masat organizative, ka hartuar planet përkatëse të zhvendosjes së patrullave të policisë nga territori i brendshëm i vendit, ku fluksi bie, ose prezenca e njerëzve zhvendoset drejt zonave turistike. Pra, policia rrugore, policia kufitare, e rendit, kriminale në një plan të madh masash do të monitorojnë komplet duke nisur nga 15 qershor deri në 15 shtator, komplet zonat turistike, bregdetare, akset rrugore që lidhin Shqipërinë me Malin e Zi, me Kosovën, Greqinë. Të gjitha do të kenë prezencë të duhur policore”.
Sipas tij, trendi në ulje i aksidenteve është pozitiv por në numrin e tyre ndikon infrastruktura rrugore, e kombinuar me përdorimin e alkoolit dhe tejkalimin e shpejtësisë.
“Aksi rrugor i evidentuar nga policia rrugore është pjesa nga Tirana në drejtim të Krujës, nga Tirana në drejtim të Durrësit, aksi i vjetër rrugor, mosmbarimi në kohë i aksit rrugor që lidh daljen e autostradës me pjesën në hyrje të Vlorës i shkakton shumë probleme shërbimi policor i cili duhet që gjithë këtë fluks ta zgjidhë përsëri me prezencë të shtuar policore, sepse detyrohemi të kemi më shumë prezencë në rrugë, të mbajmë një varg mjetesh, të mos lejojmë parakalimet e gabuara dhe të moderojmë shpejtësinë e drejtuesve të mjeteve”, tha Tola.
Top Channel