Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka nisur një vizitë zyrtare në Japoni ku në fokus të bisedimeve janë thellimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe bashkëpunimi dypalësh.
Në ditën e parë të vizitës ai është takuar me ministrin japonez të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Hiroshige Seko, presidentin e Federatës Japoneze të Biznesit, Yoshio Sato, si edhe mori pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast nga Ambasada e Shqipërisë në Tokio- “Një ditë shqiptare në Tokio”, për promovimin e fushave dhe veprimtarisë së biznesit shqiptar në tregun japonez dhe të Shqipërisë si një destinacion potencial për investitorë japonezë.
Në takimin me Seko u diskutua në lidhje me stadin aktual të marrëdhënieve ekonomike, intensifikimin e mëtejshëm të tyre dhe përqendrimin në fusha specifike si infrastruktura, turizmi dhe bujqësia. Bushati e njohu Ministrin Seko me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE dhe ftoi përmes tij, qeverinë dhe sipërmarrjet japoneze të mbështesin projektet e iniciuara përmes nismave të tjera në rajon, në kuadër edhe të Procesit të Berlinit dhe të partneritetit strategjik që Japonia ka me BE.
Ministri Seko ftoi sipermarrjet shqiptare që të marrin pjesë në panairin Expo Osaka 2025 si një mundësi e mirë e prezantimit të produkteve shqiptare në tregun japonez.
Më pas, në fjalën e tij në aktivitetin “Një ditë shqiptare në Tokio”, Ministri Bushati nënvizoi se “Shqipëria është një vend me potencial të lartë për të investuar dhe një platforme solide për zgjerimin e investimeve japoneze në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati shoqërohet nga një delegacion parlamentar dhe nga komuniteti i biznesit në Shqipëri.
Në përfundim të ditës së parë të vizitës, Ministri Bushati dhe përfaqësuesit e biznesit shqiptar zhvilluan një takim të frytshëm me Federaten Japoneze të Biznesit, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat konkrete për të investuar në Shqipëri si energji, turizëm dhe infrastrukturë, dhe mënyrat për të rritur shkëmbimet tregtare me Japoninë. “Ne vlerësojmë vëmendjen e shtuar të Japonisë ndaj rajonit tonë dhe Iniciativa e Ballkanit Perëndimor përbën një instrument të rëndësishëm për promovimin e marrëdhënieve më të ngushta midis vendeve tona”, u shpreh ai.
Ministri Bushati siguroi interlokutorët japonezë që Shqipëria, falë pozicionit të saj gjeografik dhe reformave të ndërmarra për zhvillim dhe në përafrimin e saj me BE-në, aktualisht përbën një portë hyrëse shumë të favorshme për investime të huaja për një treg edhe më të madh përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.
Vizita e Ministrit Bushati në Japoni do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme me takimin me homologun Komo, në parlamentin japonez, JICA dhe JETRO.
Top Channel