Bordi i Uniqa Insurance, në Tiranë. Sigal Uniqa prezanton platformën e re digjitale

04/06/2018 14:59

Në prag të 20-vjetorit të themelimit të saj, Sigal Uniqa organizoi në Tiranë Forumin Ndërkombëtar të Biznesit, ku prezantoi platformën e re digjitale.

Përveç blerjes së produkteve “online”, që nga sigurmi i automjeteve e deri tek sigurimet e jetës së klientëve u ofrohet që të kryejnë procedurat e dëmshpërblimit “online”.

Avni Ponari, drejtori i përgjithshëm i Sigal UNIQA Group, tha: “Një tjetër risi e kompanisë SIGAL UNIQA është edhe ngritja e Qendrës së Asistencës për të Dëmtuarit nga Aksidentet Automobilistike. Kjo qendër u mundëson qytetarëve që të shkurtojnë kohën dhe burokracitë nëpër zyra e gjykata dhe të marrin në një kohë shumë të shpejtë dëmshpërblimin sipas vlerës që u takon me ligj, duke shmangur kështu edhe zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe ndarjen e dëmshpërblimit me përfaqësuesit ligjorë”.

Drejtori i përgjithshëm i Sigal i kërkoi përfaqësuesve të qeverisë që ishin të pranishëm në takim miratimin sa më shpejt të ligjit të ri për sigurimin, ku të përfshihet edhe sistemi “bonus malus”.

“Implementimi i tij do të bënte që çdo qytetar të kishte një skedar personal të sigurimeve dhe nisur nga kjo përcaktohet dhe çmimi i siguracionit të tij. Një qytetar që nuk ka shkaktuar asnjëherë aksidente do ta përfitonte siguracionin me një çmim shumë më të ulët sesa ai që ka një CV të keqe në drejtimin e automjetit”, deklaroi Ponari.

Kurse drejtori i përgjithshëm i UNIQA Group, Andreas Brandstetter, tha se është i lumtur për investimin e bërë në Shqipëri: “Uniqa është një kompani evropiane, zyrat qendrore i kemi në Austri, por jemi një kompani ndërkombëtare evropiane dhe Sigal Albania ka një kontribut të rëndësishëm në sukesin e grupit. Uniqa zgjodhi të investojë në Shqipëri 11 vite më parë nëpërmjet SIGAL-it sepse tregu shqiptar ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u rritur e zhvilluar dhe ky ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë në biznes dhe nuk jam penduar për këtë. Investimi dhe interesi i UNIQA do të vazhdojë në Shqipëri dhe bashkëpunimi me SIGAL dhe drejtuesin Avni Ponari është një bashkëpunim i shkëlqyer, korrekt dhe shumë i frytshëm”.

Në Forumin Ndërkombëtar marrin pjesë 120 CEO dhe Kryetarët e Bordeve Drejtuese të kompanive UNIQA Insurance Group nga 16 shtete evropiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA