Rruga e Ndroqit, dikur ka qenë një rrugë alternative midis Tiranës dhe Durrësit, veçanërisht gjatë verës në periudhën e plazhit. Por, aktualisht kjo rrugë është në gjendje tejet të amortizuar.
Në çdo metër të saj të shoqërojnë gropat dhe diznivelet. Për një drejtues mjeti që do të përdorë këtë segment është realisht një rrezik i shtuar jo vetëm për gjendjen teknike të mjetit, por edhe si burim aksidenti.
Kjo është edhe arsyeja që ky segment rrugor nuk përdoret nga drejtuesit e mjeteve, në një kohë kur autostrada Tiranë-Durrës gjatë fundjavës është e mbingarkuar deri në bllokim, rruga e Ndroqit nuk përdoret për shkak të gjendjes së saj. Policia Rrugore e ka raportuar disa herë gjendjen e kësaj rruge pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, por reagimi është zero.
Përveç gropave të panumërta, kjo rrugë herë pas here shfaq edhe kodra edhe diznivele të mëdha të shtratit të saj, të cilat pa frikë mund të konsiderohen si kodra të vogla.
Riparimi i këtij segmenti do të bënte realisht një rrugë alternative mes Tiranës dhe Durrësit dhe do të shmangte orët e tëra të trafikut rraskapitës në muajt e verës.
Rruga, dikur shumë e preferuar për shkak se kalon në një zonë të gjelbëruar u dha zhvillim edhe fshatrave pranë saj. Në këtë rrugë banorët tregtonin prodhimet e tyre bujqësore dhe shumë restorante frekuentoheshin, por gropat e rrugës janë bërë pengesë edhe për ta.
Top Channel