Kryeministri Rama ka vizituar këtë të shtunë Panairin e Punës në qytetin e Elbasanit, ku janë afishuar mbi 1.500 vende të lira pune.
“Ky panair është pjesë e zinxhirit të atyre që po zhvillojmë në të gjithë Shqipërinë, si një rrugë alternative për t’i afruar njerëzit drejt zyrave të punës dhe bizneseve, për t’ua bërë të mundshëm informacionin mbi vendet e punës. Një mundësi për t’i dhënë kujtdo që është i interesuar vërtet të punojë mundësitë dhe informacionet, që mbeten në hije nga mungesa e informacioneve apo atyre që flasin përditë se s’ka punë. Këtu ka mbi 1.500 vende të lira pune dhe i bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve të vijnë e të kontaktojnë me kompanitë, falë ndërmjetësimit të zyrës së punës”, tha Rama në fjalën e mbajtur para qytetarëve elbasanas.
Sipas kryeministrit, zyra e punës së Elbasanit ka ofruar shërbime cilësore, papunësia është ulur me 5.4 për qind, një tregues inkurajues i shënuar vetëm gjatë vitit të fundit.
“Mundësia për ta ulur edhe më tej është reale, pasi këto kompanitë që janë këtu në panair dhe që kanë këto vende të lira pune janë reale. Kushdo që është i interesuar për të punuar, këtu mund të gjejë vende e mundësi të ndryshme, nga ato që kërkojnë aftësim e profesionalizëm, por edhe në rastin më të keq, ajo me pagën më të ulët sërish ofron 5-fishin e ndihmës ekonomike. E përsëris, mundësitë janë dhe punë ka. Dua të theksoj gjithashtu se sipas shifrave, kush kryen arsim profesional ka shumë më shumë mundësi për të gjetur punë, sesa ata me shkollë të mesme të përgjithshme. Jemi në një rrugë ku duhet të bëjmë shumë më tepër, por në rrugë të mbarë sepse po bëjmë një rritje të besueshme të punësimit real”, theksoi ndër të tjera Rama.
Përmes këtij panairi, Zyra e Shërbimit Kombëtar të Punës mundëson punësim real edhe për individë të familjeve të dala prej skemës së ndihmës ekonomike.
Top Channel