Turi i llogaridhënies publike të qeverisë “Rama 2” është ndalur këtë fundjavë në Cërrik, aty ku Taulant Balla theksoi dëshirën e qeverisë për ta bërë këtë raportim sa më transparent dhe jo në ambiente të mbyllura.
Në fjalën e tij të nisur sërish nga çështja e punësimit, kryeministri Rama iu referua sërish ndalesës në Panairin e Punës në Elbasan, duke ritheksuar faktin se qeveria po mundëson këto panaire si një mënyrë për të afruar njerëzit me informacionin për tregun e punës.
Duke kundërshtuar edhe njëherë ata që thonë se punë nuk ka, ai përmendi shifrën e mbi 1.500 vendeve të reja të punës të publikuara në atë panair, nga ato me paga më të ulëta e deri te punë me nevoja për profesionistë të vërtetë.
Rama shtoi gjithashtu se biznesi i vogël është motor i ekonomisë sonë, ndaj dhe qeveria po përgatitet të ulë taksën e fitimit. Sa i përket reagimit për përfshirjen e tyre në TVSH, Rama thotë se agresiviteti vjen si pasojë e mashtrimeve që bënin bizneset. Kjo ndihmon që të mos rëndohet më me taksa popullsia, por taksat t’u merren atyre që duhet.
Së dyti, Rama u ndal te shërbimet. Këtu kërkoi sërish kontributin e qytetarëve për të zgjidhur problemet e tyre pa shkuar në kërkim të miqve apo deputetëve, por të përdorin platformën “shqipëriaqëduam.al” për të zgjidhur drejtpërdrejt problemin në tryezën e ministrit përkatës, pa u zvarritur.
Ai theksoi se “nuk kemi ardhur këtu për të kërkuar votat, por për t’iu përgjigjur për çdo hall apo ankesë”.
Bashkëqeverisja me qytetarët është një zotim i votëbesuar nga shumica dhe një sfidë e madhe për ta kthyer në çdo hap, në një koalicion real qeverisës të Partisë Socialiste me njerëzit e zakonshëm. Platforma “shqiperiaqeduam.al”, sipas qeverisë është një mekanizëm i garantuar që fuqizon qytetarët dhe vë në lëvizje qeverinë, në kohë reale, në mbështetje të tyre.
Top Channel