Malësi e Madhe, palestra kthehet në gërmadhë, rrezik për nxënësit

01/06/2018 20:25

Palestra e shkollës 9-vjeçare “Abdyl Bajraktari” në Koplik është kthyer në një gërmadhë, e prej disa vitesh qëndron në atë gjendje duke përbërë rrezik për nxënësit që mësojnë pranë këtij institucioni arsimor.

“Fiks Fare” e ngriti shqetësimin pas ankesës së prindërve që kanë fëmijët në këtë shkollë, pasi janë të frikësuar se nga dita në ditë, ata mund të dëmtohen nga ngrehina që ndodhet vetëm pak metra larg shkollës.

Pas ankesës, “Fiks Fare” udhëtoi në Koplik, ku godina, dikur e planifikuar për palestër dhe për lojërat me dorë, është kthyer në një gërmadhë dhe nxënësit rrinë pranë saj për ta përdorur si hije, për të luajtur, ndërkohë që tullat e mbetura në ndërtesë janë të lëvizshme dhe nga momenti në moment mund të kthehen në rrezik për fëmijët.

Kjo shkollë, aktualisht frekuentohet nga fëmijët e 9-vjeçares, por edhe nga gjimnazistët, pasi shkolla e tyre është në rikonstruksion. Nxënësit thonë se shkolla ka disa vite në këtë gjendje, por nuk ka marrë zgjidhje. Madje, në disa vende, tullat kanë rënë nga muri, por fatmirësisht deri më sot nuk ka pasur të lënduar.

Drejtori i shkollës, Shaban Duka shpjegon se kjo gjendje vijon prej disa vitesh. Sipas tij, në vitin 2012, nga bora e rënë është shembur çatia, ndërkohë që në shtator të vitit 2017 i ka bërë shkresë bashkisë dhe i ka kërkuar ndihmë.

Pas kërkesës, bashkia ka dërguar ekspertët që kanë bërë inspektimin, por deri më sot, kur po mbaron sezoni shkollor, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, megjithëse është premtuar se do të merren masa.

Bashkia e Malësisë së Madhe tha për “Fiks Fare” se, pas inspektimit është përgatitur një projekt që kushton rreth 22 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e godinës së palestrës, por edhe për ndërhyrjet e tjera në shkollë.

Pas kësaj janë kërkuar fonde në qeveri dhe më 11 maj të këtij viti është miratuar fondi. Bashkia tha se me këtë ogur të mirë, pritet që shumë shpejt të fillojnë punimet për rikonstruksionin e godinës.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel