Ditën e hënë banorët denoncuan në Top Channel se fabrika në Vorë, e cila sipas lejes mjedisore përzien dhe përdor çimento, në fakt përpunon bitum dhe katran për të prodhuar asfalt, çka nuk parashikohet në leje.

Top Channel shkoi në terren për të verifikuar situatën. Pasi kontaktoi me Ministrinë e Mjedisit, ajo tha se këtij aktiviteti i është pezulluar leja mjedisore për shkak se i janë bllokuar filtrat e ajrit.

Por, ne verifikuam të kundërtën. Puna në këtë aktivitet vijonte normalisht.

Top Channel bisedoi edhe me banorët përreth, por asnjë nuk ka guxim të flasë, megjithëse jashtë kamerës tregojnë me bindje se në këtë subjekt përpunohen lëndë të rrezikshme.

Në lejen mjedisore, të miratuar më datë 15 gusht të vitit 2016, thuhet se aktiviteti është në pronësi të personit juridik: Salillari Sh.P.K., me person përgjegjës: Pëllumb Salillari dhe se objekti i lejes është për përpunim dhe përzierje të çimentos, por banorët mohojnë duke thënë se aty përpunohet katran dhe bitum.

Megjithatë, asnjë nuk shprehet, pasi të gjithë janë të punësuar në fabrikën Salillari SH.P.K dhe sot, 5 ditë më vonë puna në fabrikën e bitumit vazhdon normalisht.

Kjo është arsyeja pse Top Channel kontaktoi përsëri Ministrinë e Mjedisit, ditën e premte të cilës i kërkuam të na vendosë në dispozicion shkresën e pezullimit të lejes mjedisore, nëse ekziston një e tillë, por edhe për t’u njohur me argumentet e këtij akt pezullimi. Por, ministria e Mjedisit nuk pranoi të japë asnjë shpjegim për këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA