Adoleshentët amerikanë po braktisin “Facebook”-un, duke preferuar platforma të tjera sociale si “Youtube”, “Instagram” apo “Snapchat”.

Ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga Qendra e Kërkimeve “Pew” me seli në SHBA, sipas së cilës vetëm 51 për qind e tyre përdorin tashmë rrjetin social të themeluar nga Zuckerberg, një shifër që ka pësuar rënie me 20% prej vitit 2015, kur u anketuan për herë të fundit adoleshentët.

Shumica e atyre të grupmoshës 13-17 vjeç kanë qasje, – në mos e zotërojnë, – në një “smartphone”, ndërsa 45% e tyre janë “online” thuajse gjatë të gjithë ditës.

“Youtube” ka “vjedhur” dominimin e dikurshëm të “Facebook”-ut mbi adoleshentët, me 85% të tyre që preferojnë tashmë platformën e publikimit të videove. Rrjetet e dyta dhe të treta për nga interesi mes adoleshentëve, sipas këtij studimi janë “Instagram”-i me 72% dhe “Snapchat”-i me 69%.

Numri i adoleshentëve që përdorin “Twitter”-in është vetëm 32%, ndërsa “Tumblr” ka edhe më pak frekuentues 14%, me të dyja këto rrjete që nuk njohin ndryshime të mëdha krahasuar me rezultatet e vitit 2015.

E ndërsa “Facebook”-u mund të ketë humbur “mbretërimin” mes adoleshentëve kundrejt “Youtube”, ai sërish mbetet zotërues i “Instagram”-it që po njeh më shumë përdorues, një platformë për shpërndarje fotosh dhe videosh, që prej vitit 2012.

Studimi i “Pew”, që mori në anketim afro 750 adoleshentë një muaj më parë, zbulon se rritja e zotërimit të “smartphone”-ve ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e adoleshentëve. Sot, 95% e tyre e kanë një telefon “të zgjuar”, duke nënkuptuar një rritje me 22 pikë përqindjeje krahasuar me 73% të adoleshentëve që rezultonin 3 vite më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA