Në Katania është zhvilluar seanca e parë gjyqësore në ngarkim të bandës së Habilajve, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pas zhvillimit të operacionit “Rosa dei venti” që uli në bankën e akuzës 15 të pandehur, edhe pse njëri prej tyre, italiani Vincenzo Spampinato u veçua pasi pranoi të bashkëpunonte me hetuesit.
Mes 14 të pandehurve të pranishëm në sallën e gjyqit këtë të enjte ishin Moisi Habilaj, Meridian Sulaj, Fatmir Minaj dhe të tjerë italianë. Habilaj konsiderohet si kreu i organizatës kriminale, që ka zhvilluar një biznes miliona eurosh, të ndara në një tryezë me krerë lokalë të narkotrafikut.
Mbrojtja e të pandehurve ka kërkuar gjykim të shkurtuar për të 14 të dyshuarit për trafik ndërkombëtar marijuane, kryesisht në aksin Shqipëri-Katania (Siçili).
Nëse kërkesa e tyre do të pranohet nga gjyqtarja Maria Cardillo, kjo do t’u mundësonte atyre uljen e një të tretës së dënimit të pritshëm. Gjithçka pritet të zgjidhet në seancën e radhës, të programuar për më 26 shtator të këtij viti.
Risia në këtë pikë është fakti që në fashikujt e dosjes në ngarkim të tyre, me kërkesë të prokurorit publik Andrea Bonomo, janë përfshirë edhe procesverbalet e marrjes në pyetje gjatë ditëve të kaluara të protagonistëve Habilaj, Seiti dhe Sulaj, nga prokurorët e Krimeve të Rënda të Tiranës.
Hetuesit shqiptarë shkuan në Katania për t’i marrë në pyetje për një hetim paralel që zhvillohet këtu në Shqipëri, që ka për protagonist ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, kushëri i Habilajve dhe i përmendur disa herë në përgjimet telefonike të të pandehurve në Itali.
E ndërsa njëri prej Habilajve mbetet ende në arrati, Florian Habilaj, pjesë e këtij procesi nuk do të jetë Nezar Seiti. Ky i fundit konsiderohet si financieri i bandës së trafikut të drogës dhe u arrestua në Shqipëri, për t’u ekstraduar pak muaj më vonë në Itali mes polemikave të shumta. Seiti nuk ndan as të njëjtën burg me të pandehurit e tjerë, pasi ai mbahet në burgun e Rebibbias në Romë.
Top Channel