Denoncimi i ‘Fiks Fare’, Ministria e Brendshme: Shefi i Komisariatit është i pezulluar

31/05/2018 23:40

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e Policisë së Vaut të Dejës, në shoqërimin e një 47-vjeçari, i cili pasi u lirua nga qelia vrau veten. Krahas shumë shkeljeve të raportuara, shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çuni, në një bisedë me gazetarët e “Fiksit”, tha: Shumë mirë që vrau veten!

Lidhur me këtë investigim reagoi edhe Ministria e Brendshme në Shqipëri, e cila tha se shefi i komisariatit, Paulin Çuni është pezulluar nga detyra që më 29 Maj, kur edhe ka nisur hetimi për ngjarjen.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Brendshme:

Sqarim!
Lidhur me transmetimin në emisionin “Fiks Fare” të një bisede me ish-shefin e Komisariatit të Vaut të Dejës, sqarojmë se:

Menjëherë sa mori dijeni mbi ngjarjen, ku u gjet i vetëvrarë një shtetas pasi ishte shoqëruar në Polici, Ministri i Brendshëm urdhëroi Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) që në bashkëpunim me Prokurorinë të niste hetimin e rastit.

Pas verifikimeve paraprake, SHÇBA i kërkoi Drejtorit të Policisë pezullimin nga detyra. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në datë 29 maj 2018, urdhëroi pezullimin nga detyra të P.Ç., Shef i Komisariatit të Vaut të Dejës dhe punonjësve Z.D dhe P. Zh., me detyra SPZ (Specialist policor i zonës).

Pra, theksojmë se shtetasi P.Ç., i cituar në kronikën televizive si Shef i Komisaritit në Vaun e Dejës, nuk është në detyrë që nga data 29 maj 2018. Policia e Shtetit mbetet e gatshme dhe e hapur për çdo hetim ndaj kujtdo punonjësi të dyshuar për shkeljen e ligjit dhe nxit Prokurorinë për hetime të shpejta dhe gjithëpërfshirëse për rastin konkret.

Ardian Kallmi i dha fund jetës në fillim të javës, ndërsa vajza e tij, Romina kërkon drejtësi. Ajo thotë se punonjësit e policisë e dhunuan fizikisht e psikologjikisht, vetëm që të pranonte një vjedhje që s’e kishte kryer kurrë.

Ata i shkruan një letër, kur në fakt Ardjani nuk dinte as shkrim e këndim. Madje, veprimet e policisë vijuan me kontrollin e banesës së Kallmit, megjithëse ai nuk ishte arrestuar në flagrancë, nuk ishte ndaluar apo të kishte një vendim gjykate.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA