Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, e cilësoi në prag katastrofe sistemin kadastral të vendi, që reflektohet në shërbimin që u ofrohet qytetarëve në zyrat e hipotekës.
Duke folur nga edicioni qendror i lajmeve në Top Channel, ai thotë se po përgatitet terreni për një ndërhyrje radikale në këtë sistem.
“Sistemi kadastral është në gjendje katastrofe dhe pa ndërhyrje radikale nuk ka shpëtim. Po bëjmë përgatitjen e kësaj ndërhyrje në sistem, duke rregulluar vetëm pjesën e shërbimit, që është pjesa e dukshme. Problemi është që mund t’i japim shërbimin qytetarit, por malli është i kalbur i gjithë. Sistemi hartografik është në gjendje katastrofë. Po përgatisim terrenin për të ndërhyrë në këtë sistem”, deklaroi ai.
Lame foli edhe për problematikën e mbi 1 mijë pallateve që po zvarrisin legalizimet. Paralajmëroi se ngërçi me këto raste do të zgjasë dhe për këtë fajëson një pjesë të ndërtuesve, që sipas tij, shpikin shkaqe të ndryshme vetëm që të mos legalizojnë ndërtimin.
“Do të vazhdojë ende ngërçi, sepse është e pabesueshme që një pjese të ndërtuesve për të shpikur gjëra për të bllokuar në vijim procesin. Ky është maksimumi i mundshëm, që do të thotë legalizim në emër të ALUIZNI-t, kur nuk përgjigjet asnjë prej pronarëve të objektit. Pra ALUIZNI bëhet pronar dhe e kalon pronësinë tek qytetarët”, u shpreh Lame.
Rastin e djegies së lokalit të personit që denoncoi tjetërsimin e pronave në Shëngjin, kreu i ALUIZNI-t e sheh si reagim kundër drejtësisë dhe rikthimit të këtyre pronave tek të zotët. Ai thotë se vendimi i Qeverisë për të ngrirë transaksionet për pronat në bregdet ka dhënë efekte pozitive dhe se po mendohet shtrirja e këtij vendimi edhe në pjesë të tjera problematike përsa i takon pronësisë.
Top Channel