Reforma në drejtësi dhe mungesa e institucioneve që parashikon kjo reformë duket se e kanë pështjelluar sistemin e drejtësisë për sa i takon kompetencës së gjykatave.
Edhe pas ndërhyrjes së Gjykatës së Lartë, ende vazhdon ping pongu i dosjeve nga njëra gjykatë tek tjetra. Rasti më konkret i kësaj situate është çështja penale ndaj Fadil Kasemit, i akuzuar se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizin.
Kjo çështje u regjistrua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ka nisur gjykimi tek Gjykata e Krimeve të Rënda. Por pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila specifikonte se tashmë Gjykata e Krimeve të Rënda do të luajë rolin e Gjykatës Speciale dhe do te gjykojë çështje që ligji ja parashikon kësaj gjykate, çështja në fjalë iu delegua Gjykatës së Tiranës.
Por gjyqtari Sokol Tona, ka konstatuar se në një tjetër vendim të prillit të këtij viti, Gjykata e Lartë ka specifikuar se dosjet që janë regjistruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda edhe pas afatit ligjor, që ka qenë 1 gushti i viti të kaluar, do të vazhdojnë të shqyrtohen sërish nga kjo gjykatë.
Derisa Gjykata e Lartë të sqarojë për të tretën herë kompetencën e gjykatave në mungesë të institucioneve të reja që parashikon reforma në drejtësi, të tilla procese do të vazhdojnë të zvarriten sa nga njëra gjykatë në tjetrën.
Top Channel