Aplikimet për 71 milionë euro, pjesë të programit IPARD të BE për bujqësinë, blegtorinë dhe agroturizmin nuk kanë filluar ende edhe pse ishte premtuar të fillonin në muajin maj. Burime i thanë Top Channel se arsyeja për këtë është moskualifikimi i duhur i ekspertëve që do të shqyrtojnë dosjet e aplikantëve. Top Channel iu drejtua delegacionit të BE në Tiranë, ku mësoi se ky është një problem për t’u zgjidhur.
“Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë një numër të mjaftueshëm stafi në nivelet e duhura dhe me kualifikimet dhe përvojën e nevojshme”, Delegacioni i BE, Shqipëri.
Por për drejtoreshën e AZHBR, kërkesat teknike të Drejtorisë Europiane për agrikulturën, tashmë janë plotësuar.
“Qeveria ka bërë një plotësim të kërkesave që kishte “DG Agri” për të shtuar strukturën e AZHBR me 10 veta personel të ri. Disa nga këto pozicione kanë rezultuar të suksesshme në shpalljen e tyre nëpërmjet DAP, pasi AZHBR është subjekt i ligjit për nëpunësin civil dhe janë në proces trajnimi”, shprehet Frida Krifca, drejtoreshë e AZHBR.
Drejtuesja e kësaj agjencie, thotë se në fund të verës autoritetet tona do të jenë gati për të bërë thirrjen për aplikime, por data e nisjes, ashtu siç konfirmon edhe delegacioni europian në Shqipëri, do të jepet nga Komisioni Europian.
“Autoritetet shqiptare mund ta fillojnë procesin e absorbimit të fondeve IPARD II vetëm pasi të jetë marrë një miratim nga Komisioni Evropian. Edhe pse Komisioni Evropian nuk ka kërkuar shtyrjen e datës së fillimit të alokimeve, për momentin nuk është dhënë ende asnjë miratim mbi datën e fillimit të përdorimit të fondeve”, delegacioni i BE, Shqipëri.
Programi IPARD do te financoje deri në 70 përqind të vlerës totale të projekteve që kërkojnë financim për Bujqësinë, Blegtori dhe Agroturizëm.
Top Channel