Task Forcë kundër krimit, kush është amerikani që do të luftojë pastrimin e parave

28/05/2018 11:28
Foto Arkiv

Ernst&Joung, kompania amerikano-gjermane e auditimit financiar me seli në Londër, vjen në Shqipëri, këtë herë për të bashkëpunuar me agjencitë shqiptare kundër krimit ekonomik dhe evazionit.

Kompania nënshkroi sot marrëveshjen e angazhimit me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Financave e Ekonomisë. Kryeministri Rama tha se frytet kjo marrëveshje do ti japë shumë shpejt, ndërsa eskpertët ndërkombëtarë do të vendosen në Tiranë për të ndihmuar në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.

“Kjo marrëveshje nuk është konsulencë, por një veprimtari e përbashkët ekspertësh do të vendoset këtu dhe do të punojë me strukturat e Ministrisë së Financave dhe Krimit Ekonomik, për çështjen e një procesi pune të përbashkët me metodologji bashkëkohore, në goditjen e një fenomeni që është koha të merremi, që të merremi thellësisht. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete për të ndarë me publikun”, tha kryeministri Rama.

“Ofrimi i një kompanie të tillë me ekspertë ndërkombëtarë do të jetë vlerë e shtuar për analiza të rëndësishme, për të kuptuar cila është qasja më e mirë në vendin tonë. Për të identifikuar cilat mund të jenë organizimet më të rëndësishme, për të rritur nivelin e trajnimit të kapaciteteve që kemi, për të koordinuar jo vetëm ndërveprimin mes aktorëve shqiptarë, por dhe me aktorët ndërkombëtarë që operojnë në fushën e pastrimit të parave”, u shpreh ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Krenarinë për drejtuesin e kësaj task-forcë kundër pastrimit të parave dhe aseteve kriminale, as kryeministri dhe as ministri Xhafaj nuk e fshehën. Louis Bladel është një nga drejtuesit më të njohur të FBI-së amerikane, njeriu që ka drejtuar hetimet e çështjes Snouden dhe ish-drejtorit të CIA-s, David Petraeus.

Sot Bladel është Drejtori Ekzekutiv për hetimet në çështjet e mashtrimit pranë kompanisë “Ernst&Joung”. Bladel është pjesë e FBI që prej vitit 1996 dhe prej asaj kohe ka mbajtur detyrat më të larta të caktuara nga vetë qeveria amerikane, për çështje të sigurisë. Për 26 vite me rradhë, ai i ka shërbyer agjensive më të mëdha ligjzbatuese në SHBA, derisa u dorëhoq nga FBI në 2016. Për çështje të rëndësishme, për të cilat ka dëshmuar edhe përpara komisioneve të senatit amerikan, Bladel ka fituar çmime si “Përsosmëria e kundërzbulimit” për rolin e tij në operacione të veçanta, që çuan në arrestimin e deportimin e agjentëve ilegalë rusë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA