Basha: Bojkoti rrezikon integrimin. Largimi i Xhafajt, kusht i panegociueshëm

28/05/2018 12:51

Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se Fatmir Xhafaj duhet të largohet teksa grupi vendos nëse do të bojkotojë apo jo.

“Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një ministër të Brendshëm, vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia italiane por që me mbrojtjen dhe ndihmën e vëllait ministër të Brendshëm vazhdon aktivitetin kriminal. Kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshëm, pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës të një ministër që ka vënë Ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikant droge. Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë së largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët, as Europa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri- Habilaj te policia Xhafaj dhe prokuroria Rama-Xhafaj”, mësohet të jetë shprehur kreu i PD-së Lulzim Basha

Ai këmbëngul që Xhafaj duhet të largohet nga posti i Ministrit të Brendshëm për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur. “Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane”, ka thënë më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA