Athina dhe Shkupi duket se kanë arritur në një marrëveshje për sa i përket çështjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë.
Βurime diplomatike bëjnë të ditur se, dy vendet janë shumë pranë rakordimit për emrin “Severna Makedonija” (Maqedonia e Veriut), por nuk mohojnë edhe dy variante të tjera, Maqedonia e Epërme (Gorna Makedonija) dhe Maqedonia e Re (Nova Makedonija).
Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, Nikos Kotzias ka theksuar pas takimit në Bruksel me homologun e tij, Nikola Dimitrov, se dy krerët e diplomacive të të dyja vendeve kanë mbaruar misionin e tyre me atë çfarë kishin marrë përsipër nga dy kryeministrat e tyre.
“Sot, ose ndoshta nesër, do të vazhdojë negociimi në nivel ekspertësh për çështjet teknike dhe ligjore, me të cilat duhet të përballen. Pasi të kenë përfunduar dhe pasi të zgjidhen çështjet teknike dhe ligjore, dokumentet e hartuara në nivelin e ministrave të Jashtëm do t’u jepen dy kryeministrave, të cilët do të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe do të formulojnë marrëveshjen përfundimtare”, ka deklaruar Nikos Kotzias.
Më herët kishin paraprirë deklaratat e bëra nga ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov, sipas të cilave dukej se ka pasur një zgjidhje për çështjen e emrit.
Kreu i diplomacisë së fqinjit verior të Greqisë, me deklaratat e tij në agjencitë shtetërore “AMNA” dhe “MIA” ka deklaruar se dy vendet ndodhen në “fazën përfundimtare” të negociatave për çështjen e emrit.
“Kemi pasur një takim produktiv dhe kemi një kuadër kompromisi që do të hartohet sot”, ka thënë ai, duke shtuar se kryeministri grek, Alexis Tsipras do të takohet me homologun e tij, Zoran Zaev, gjatë javës në vijim.
Top Channel