Një ditë pas protestës së demokratëve mbetet pyetja çfarë shije la ajo në jetën politike? Cilat janë mesazhet e liderit Basha dhe çfarë tregojnë ato?
Tre gazetarë dhe analistë, Enton Abilekaj, Mentor Nazarko dhe Carlo Bollino, tregojnë për Top Channel si e lexuan protestën e thirrur nga opozita për largimin e ministrit të Brendshëm.
Enton Abilekaj: Binte pak në sy se prej më shumë se dy javësh, Partia Demokratike bënte një denoncim shumë të fortë ndaj ministrit Xhafaj, ndërsa në fjalimin e djeshëm të Bashës, nuk reflektohej sa duhet ky denoncim, por më tepër problematikat sociale të vendit.
Mentor Nazarko: Fjalimi i Lulzim Bashës ishte një fjalim i bukur, i drejtuar Perëndimit, për t’i treguar që vlerat më të rëndësishme të tyre, tashmë i përfaqëson opozita. Gjithsesi, nuk është se kishte shumë lidhje me atë që ishte thelbi i protestës, kërkesa për largimin e Fatmir Xhafajt.
Carlo Bollino: Thelbi për mua nuk ka ndryshuar. Mesazhi nuk ishte shumë ndryshe nga premisat, ndaj edhe rezultatet nuk është se sollën diçka të re.
Numrat jo gjithmonë janë tregues i saktë, por pjesëmarrja e qytetarëve në protestë nuk duket se la shije të mirë në opinionin publik, që priste diçka më shumë.
Enton Abilekaj: Kemi të bëjmë me një aksion më shumë se dy javor, ku njerëzit u thirrën për të larguar një ministër të inkriminuar të qeverisë. Në qoftë se ky është një ministër i inkriminuar, a mund të bashkëjetohet më me të? A duhej çuar deri në fund misioni për të cilin u thirr protesta? Ka nëj kundërshtim mes mesazheve që jep opozita dhe veprimeve që bën.
Mentor Nazarko: Protesta krijon frymë revolucionare, në qoftë se është e besueshme edhe thirrja e saj. Mesa duket i gjithë ai mekanizmi që u përdor për të nxitur protestën, i ashtuquajturi audio-përgjimi, nuk ka rezultuar fort i besueshëm. Nëse do at gjykojmë nga masiviteti, kjo protestë nuk arriti ndonjë rezultat konkret.
Carlo Bollino: Mendoj se ku ka një arsye të fortë, organizimet janë edhe spontane, pra mjaftojnë 2-3 ditë për t’u organizuar. Në këtë rast, baza nuk ishte e fortë, pasi premisa mbi të cilën ishte ndërtuar demonstrata, ishte shumë e dobët, ndaj edhe pjesëmarrja ishte e ulët.
Acarimi i situatës pranë ministrisë së Brendshme dhe konfrontimi i disa protestuesve me policinë u duk sikur eklipsoi mesazhin politik. Vetë Basha nuk ishte me protestuesit, të cilëve u kishte kërkuar të ktheheshin poshtë zyrës së Fatmir Xhafës, por shkoi t’i largonte ata kur atmosfera u ndez ndjeshëm.
Top Channel