“Exsclusive” tregoi sot se sa të pasur janë ata që përfaqësojnë popullin në Parlament.
Në fushata elektorale ata u premtojnë zgjedhësve se do t’i zgjidhin hallet dhe problemet e tyre. Kur hyjnë në Parlament debatojnë dhe kacafyten me njëri-tjetrin për varfërinë dhe mjerimin e shqiptarëve. Një pjesë e të zgjedhurve vijnë nga bota e biznesit. Ka nga ata që zotërojnë pasuri të frikshme, ndërsa nuk mungojnë akuzat për blerje mandatesh.
Të paktën me atë që deklarohet zyrtarisht, ky Parlament me 140 deputetë kushton 150 milionë euro.
Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike thotë se “Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sepse politika ka dështuar”.
“Shumë politikanë kanë pasuri shumë të mëdha jo në emrin e tyre. Personalisht, kam fatin që kompanitë e mia punojnë në tregun e huaj, nuk bëjnë asnjë euro xhiro në tregun shqiptar. Nuk kam përfituar gjë me tendera apo koncesione”, deklaron Shehaj.
Ndërsa Andi Bushati shpjegon arsyet pse biznesmenët i futen politikës: “Njeriu që ka bërë para’, kërkon të jetë edhe personazh i respektuar përmes politikës. Duan edhe një lloj mbrojtjeje më të madhe se një qytetar i thjeshtë për atë milionin e parë që nuk dihet si e kanë bërë”.
Bushati thekson gjithashtu se “një deputet që ka biznes, kur i duhet të miratojë një ligj fiskal, teorikisht është në kushtet e konfliktit të interesit”.
Instituti i Studimeve Politike thotë se në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin gjenden 7 deputetë që kanë aktivitete private prodhuese dhe tregtuese, pra në fushën në të cilën ata shqyrtojnë dhe marrin vendime.
Top Channel