Aktivitetet kulturore në Tiranë janë shumëfishuar sipas kreut të bashkisë Erjon Veliaj. Nga instalacioni “Reja” ku prej një jave zhvillohen aktivitete kulturore, kryebashkiaku tha se tashmë qyteti ka marrë një fryme te re sa i takon eventeve kulturore.
“Më vjen mirë që pas 3 vitesh, jemi në një situatë ku në një natë ndodhin 5-6 aktivitete kulturore të ndryshme. Pra, tashmë dilema është ku do shkojmë më parë. Ndaj, u jam shumë mirënjohës bashkëpunëtorëve të cilët e financojnë, e ndihmojnë dhe i japin energji “Resë”, tha Veliaj.
Instalacione të ngjashme si Reja do të vendosen së shpejti edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit. Sic tha Veliaj, ato do të jene punime të arkitektit Bjarne Ingels dhe Stefano Boerit.
“Ata që jetojnë në Tiranë e ndiejnë se nuk janë vetëm kalimtarë ose rezidentë të përkohshëm, por duan të lënë një gjurmë fizike ose kreative për qytetin. Po diskutojmë si mund ta zgjasim qëndrimin e Resë në Tiranë, por edhe për të sjellë një instalacion të arkitektit Bjarke Ingels nga galeria Serpentine. E po ashtu, jemi në negociata me Stefano Boerin për të sjellë “Radurën”, një tjetër instalacion që do t’i jepte hijeshi qytetit”, vijoi ai.
Gjatë mbrëmjes artistike tek “Reja” ishte i pranishëm edhe ambasadori i Japonisë në vendin tonë Makoto Ito, i cili theksoi se projekte të tilla kulturore dhe artistike ndihmojnë në imazhin dhe identitetin e qytetit.
Top Channel