Protesta marshim e opozitës nuk do të ketë podium, pritet të flasë vetëm Basha

25/05/2018 19:42

E premtja me të gjithë bateritë për organizim në terren dhe në selinë qendrore të PD-së.

Axhenda e Lulzim Bashës një ditë para protestës ishte e ngjeshur me takime ku shënohen detajet e fundit të protestës të së shtunës.

Protestuesit mblidhen në orën 11:00 në krye të bulevardit të Dëshmorët e Kombit sipas një vendimi të fundit që u mor në takim me aleatët opozitarë në zyrën e kreut demokrat.

Ajo që po synon opozita e bashkuar është pjesëmarrja masive e qytetarëve nga i gjithë vendi, në një protestë për largimin e Fatmir Xhafajt nga detyra e ministrit të Brendshëm.

Burimet pranë selisë blu i thanë Top Channel se pritet të jetë normale kohëzgjatja e protestës, ndërkohë që gjatë këtyre ditëve kanë mohuar skenarin e 24 apo 72 orëve protestë. Vet konceptimi i saj si marshim i jep një natyrë tjetër nga ajo e 27 janarit, kur u protestua kundër kapjes së drejtësisë nga qeveria pas zgjedhjes nga mazhoranca të Arta Markut si kryeprokurore e përgjithshme e përkohshme. Nëse ajo e janarit u organizua për 1 muaj, protesta e 4 muajve më pas bëhet një javë nga thirrja e Lulzim Bashës.

Të shtunën do të ketë demonstrime simbolike ku pritet të gjejë shprehje i gjithë aktualiteti i më shumë se dy javëve me akuzat e Partisë Demokratike se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka garantuar paprekshmëri për vëllain e tij të dënuar me mbi 7 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Kësaj here nuk do të jetë pjesë e demonstrimit skena e madhe që jemi mësuar të shohim para godinës kryeministrore. Marshimi pritet të kulmojë me një fjalë të kreut të opozitës Lulzim Basha.

Në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama e quajti Lulzim Bashën “Esadist” dhe audiopërgjimin sajesë kundër çeljes së negociatave, për të cilën sipas tij qytetarët protestues do të pendohen. Brenda pak minutave reagoi Lulzim Basha duke i deklaruar në qeveri esadistët kundër Shqipërisë si Europa. Personazhi historik përmes të cilit akuzojnë njëri-tjetrin si tradhtar kryeministri dhe kryetari i opozitës është Esad Pashë Toptani.

Protesta e opozitës ndodh, ndërsa Tirana po vizitohet nga zyrtarë të vendeve partnere dhe organizatave ndërkombëtare. Të premten zhvilluan takime të nivelit të lartë kreu i Asamblesë Parlamentare dhe Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së. Të shtunën e protestës Pit Moroco, zv.ndihmës sekretar amerikan i shtetit do të jetë në mëngjesin e lutjeve me nismën e deputetëve të majtë e të djathtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA