Banorët e fshatit Kalenjë në Mallakastër rrezikojnë të humbasin komunikimin me pjesën tjetër të zonës, si pasojë e rrugës së dëmtuar me një gjatësi vetëm 800 metra, e cila e lidh fshatin me rrugën kryesore.
Segmenti është krejtësisht i pakalueshëm, ndërkohë që dëmtohet gjithnjë e më shumë nga një përrua që e përshkon përmes atë. Sa herë bie shi, përroi bëhet i pakalueshëm, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën.
Veç nevojave të përditshme jetësore, banorët e këtij fshati e kanë të pamundur të transportojnë të sëmurët për në Spitalin e Ballshit. Më të shqetësuar ata janë për jetën e fëmijëve, të cilët për të shkuar në shkollë disa kilometra larg, duhet të kalojnë dy herë në ditë përmes përroit.
Në ditët me shi, prindërit nuk i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë, nga frika e daljes së përroit.
Fshati Kalenjë është vetëm 8 km larg qytetit të Ballshit. Gjatë fushatave elektorale, atyre u kanë premtuar se do ta shtrojnë këtë copë rruge, por ajo vetëm shkatërrohet. Aktualisht, në fshatin Kalenjë jetojnë vetëm 40 familje, ndërsa në fillim të viteve ’90, këtu banonin më shumë se 200 të tilla.
Banorët thonë se ky largim masiv ka ndodhur vetëm si pasojë e rrugës së shkatërruar, e cila nuk është riparuar asnjëherë.
Top Channel