Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar nga njësia nr. 8 në Tiranë gjatë turit të llogaridhënies se është humbur shumë kohë, duke i bërë thirrje opozitës të “sillemi si skuadër, kur vjen puna për integrimin europian”.
“Sot ka një grup i cili po mundohet të rregullojë Shqipërinë, që është i fokusuar në reforma, që po mundohet që Rilindjen Urbane ta çojë nga sheshi “Skënderbej” deri në Malësi të Madhe, Koplik apo Konispol; por, ka edhe një grup tjetër, i cili u thotë njerëzve, o burra ta prishim këtë vend, hajde t’i vëmë zjarrin, të krijojmë tollovi, t’i vëmë pengesa njeri-tjetrit, vetëm të mos hapen negociatat! Fakti që sot jemi në këtë situatë, ku partitë politike po mobilizojnë me kuç e me maç, me përgjime të sajuara aq keq sa edhe një fëmijë që shkon në klasë të parë, i vjen zor të besojë se ka parti politike që merren me këto histori, vetëm që Shqipëria të mos shohë një ditë të bardhë”, tha Veliaj.
Ai deklaroi se ata që sot sajojnë kaseta përgjimi dhe bëjnë thirrje për protesta, gjatë kohës që drejtuan Tiranën dhe Shqipërinë treguan se nuk bënë asgjë. Ndaj, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin kryeministrin Rama dhe qeverinë, e cila po e çon vendin në drejtimin e duhur, në Bashkimin Europian.
“Për ata që sajojnë kaseta, që bëjnë thirrje për protesta, që zihen me të njëjtin intensitet si për këndin e lodrave, si për Pazarin e Ri, si për Sheshin “Skënderbej”, mjafton të kthejmë kokën pas dhe të shohim se si të gjitha objektet e sherreve të tyre, janë sot çmime të punës së palodhur që kemi bërë në Tiranë. Dua t’i kujtoj çdo njeriu që naivisht mendon se duke djegur vendin, duke sabotuar Shqipërinë, duke i vënë stërkëmbëshin integrimit, do shohim një ditë të bardhë, u them se e kanë gabim. Ata që bëjnë thirrje për protesta, për të shkatërruar Tiranën, për të shkatërruar Shqipërinë, i kishim në qafë edhe në Tiranë, edhe në Shqipëri, dhe e pamë çfarë dinin të bënin. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë të mbështesim Edi Ramën, të mbështesim qeverinë, deputetët, ministrat dhe t’u tregojmë që jemi me atë skuadër që punon dhe që e çon vendin në drejtimin e duhur, në Bashkimin Europian”, tha ai.
Veliaj shtoi se Shqipëria ka humbur shumë kohë në të shkuarën. Veliaj nënvizoi se ata që kanë thirrur protestën e 26 majit, sot janë gati të sajojnë çfarëdolloj historie, vetëm që Shqipëria të humbasë Europën.
Top Channel