Donald Trump po krijon premisat e një lufte të re ndërkombëtare tregtare dhe shënjestra këtë radhë do të jenë makinat.
Pas një takimi me shefin e Shtëpisë së Bardhë, mbrëmjen e së mërkurës, Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross njoftoi se do të nisë një verifikim për të parë nëse importet e automjeteve cënojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Ka prova që dëshmojnë se, për dekada me radhë, importet nga jashtë kanë gërryer industrinë tonë të brendshme të automjeteve”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej tij.
Ky lloj hetimi, i njohur ndryshe si “Seksioni 232”, përbën të njëjtën qasje me atë të përdorur nga administrata e Trumpit përpara vendosjes së tarifave të reja mbi aluminin dhe çelikun në fillim të vitit.
Siguria kombëtare u citua edhe atëherë si shkak i lëvizjes që solli reagime të ashpra nga partnerët tregtarë të Amerikës. Mësohet se hetimi do të prekë makinat e vogla, ato SUV, mikrobusët, kamionçinat dhe pjesët e këmbimit.
Lëvizja tani ka tërhequr reagime të shumta edhe nga vet industria amerikane e automjeteve, që thotë se ta trajtosh importin e makinave si kërcënim për sigurinë kombëtare do të thotë t’i shkaktosh vetes një katastrofë ekonomike, me pasoja për konsumatorët dhe tregtuesit amerikanë të automjeteve.
Top Channel